TIRANE- Policia e Tiranës arrestoi sot Shkëlzen Sylaj,në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qendër të Kamzës. Në aksident gjeti vdekjen inspektori i policisë Selman Lena ndërsa u plagos rëndë kolegu i tij P.Lleshi.

Sipas policisë Shkëlzen Sylaj akuzohet se ka përkrahur Edmir Kolecin duke ndihmuar të fshihej pas krimit.

Një makinë tip BMË X5 me ngjyrë të bardhë përplasi dy efektivë të policisë rrugore të Komisariatit nr 5 të Tiranës të cilët ndodheshin në një postbllok në rrethrrotullimin e Bathores, mbrëmjen e së shtunës (4 maj, 2013). Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30 ndërsa autori u arrestua vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm (5 maj).

Selman Lena dhe P. Lleshi ndodheshin në një postbllok në rrethrrotullimin e Bathores, kur i kanë bërë shenjë Edmir Kolecit të ndalë makinën, pasi po ecte me shpejtësi. Ky i fundit nuk i është bindur urdhrit por ka përplasur dy policët dhe më pas u largua.

Dy policët janë dërguar menjëherë në spital por Selman Lena nuk ka mundur të mbijetojë nga plagët e rënda. Ndërkohë që polici rrugor, Lleshi ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë dhe mushkëri dhe po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm nga policia.

Arrestimi i 37 vjeçarit u bë në afërsi të "Katër rrugëve të Shijakut" të Durrësit, ndërsa policia mbrëmë kishte vënë në dispozicion 1 milionë lekë shpërblim për këdo që jepte informata për prangosjen e tij. Selman Lena u shpall Dëshmor i Atdheut.