Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Rei Bitrin, 21-vjeçarin që aksidentoi në orët e para të mëngjesit të së enjtes një efektiv policie. Gjatë seancës, 21-vjeçari pretendoi se polici i ka dalë përpara papritur dhe se nuk e kishte parë.
Ndërkohë prokuroria e Tiranës është duke pritur rezultatet e ekspertizës nga spitali ku po mjekohet efektivi. Po ashtu në sallë përballë gjykatës u pretendua se paraprakisht efektivi ka dëmtime të lehta dhe ndodhte jashtë rrezikun për jetën.
Prokuroria ka marrë edhe dëshmitë e dy efektivëve të tjerë që kanë qenë në shërbim në rrugën "Xhanfize Keko" në momentin kur ndodhi përplasja. Rei Bitri ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij privat, kur efektivi I ka urdhëruar të hapë krahun, moment kur 21-vjeçari e ka aksidentuar duke e lënduar në këmbë policin.