Fshati Rranza në Bushat u kthye në fushë betejë më 23 gusht 2024. Anëtarë të grupit të Bajrave shkuan për të ekzekutuar Aleksandër Prendit, i cili për të shpëtuar vetn, u bëri pritë autorëve duke u qëlluar me breshëri armësh.

Nga dosja e SPAK që Report Tv disponon, në vendngjarje janë gjetur 3 automjete luksoze të dëmtuara. Një ‘Audi’ i blinduar me ngjyrë blu të errët dhe me targa gjermane SWAG276 është dëmtuar si pasojë e të shtënave me armë. Rezulton se ky automjet është përdorur nga Izmir Sakicaj.

Një tjetër ‘Audi A8’ i blinduar ngjyrë e zezë me targë AA021RU, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në pronësi të Franko Lelës. Ky mjet është larguar prej këtij të fundit nga vendi i ngjarjes drejt një servisi në pronësi të shtetasit Tonin Ejlli, ku është edhe sekuestruar si prove materiale.

Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur gjithashtu dhe një automjet tip ‘BMW’ ngjyrë e bardhë, me targë AB216LL. Nga këqyrja e këtij mjeti, janë evidentuar 4 dëmtime të njëpasnjëshme në derën e pasme të anës së djathtë të mjetit, si ato të shkaktuara nga armët e zjarrit dhe një dëmtim në derën e shoferit, që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë përplasje fizike më një mjet të fortë. Ky automjet rezulton në pronësi të Marcelino Gjok Qokaj, i cili ka deklaruar se ia kishte dhënë me qira Aleksandër Prendit.

Në vendngjarje, nga hetimet rezulton se ka qenë dhe një mjet e blinduar tip Mercedes Benz S600 me targë AB857LV, i cili është konstatuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me makinën Audi A8 me targa AA021RU, dhe është ndaluar nga shërbimet e policisë në datën 03.09.2024, nën drejtimin e Safet Bajrit. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë gjetur në distanca të ndryshme 34 gëzhoja të qitura nga 2 armë të ndryshme zjarri.


Lajmi kryesor:

DOSJA/ Shkuan për të vrarë Aleksandër Prendin në 2024-ën, por u pritën me armë! SPAK merr të pandehur 3 anëtarët e grupit Bajri, në gjyq edhe objektivi