Behgjet Pacolli ka akuzuar Valon Llukën lidhur me përplasjen mes tyre në kantierin e aeroportit të Vlorës duke e quajtur “tradhtar.” Në një postim në rrjetet sociale, ai e pyet Llukën nëse nuk i ka mjaftuar paga 30 mijë euroshe, por u përpoq edhe të tjetërsonte pronën.
Pacolli pretendon se Lluka ka falsifikuar dokumente e vula, akte të cilat u zbuluan rastësisht. Më tej, ai i thotë Llukës se ka përbuzur bujarinë e tij, teksa i premton se drejtësia do të vijë herët a vonë.
“Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë.
Siç po e shihni, prej 9 muajsh jemi duke u përballur çdo ditë me trauma marramendëse, në kërkim të së drejtës dhe në përpjekje për të evituar më të keqen.
Tani po të drejtohem ty, a nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh (me të gjitha të mirat e mirëkuptimin që kishe), por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj? Kush të shtyu ta bësh atë? E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar.
Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër. Pse, para se ta kryeje këtë akt të shëmtuar, nuk erdhe të kërkoje ndihmë, si herët e tjera? Ndoshta do të të kisha ndihmuar. Pse e mbajte këtë akt të fshehur për më shumë se 5 muaj, derisa rastësisht e zbuluam, pse unë nuk kisha bërë asnjë hulumtim, sepse kisha besim tek ti?
Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja”, shkruan Pacolli.
Lajmi kryesor:
Aeroporti i Vlorës, ortakët përplasen në dyert e kantierit! ‘2A Group’ e Ademit s’lejon punonjësit e Pacollit, ‘Mabco’ i kundërpërgjigjet me pengimin e mjeteve (VIDEO)









