Mëngjesi ka nisur me trazira në aeroportin e Vlorës për shkak të përplasjes së punonjësve të dy kompanive, “2A Group” të Valon Ademit dhe “Mabco” e Behgjet Pacollit.

Sipas burimeve, “2A Group” nuk lejon hyrjen e punonjësve të Pacollit në kantier. Njëkohësisht, këta të fundit kanë bllokuar hyrjen e aeroportit dhe nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve.

Ismet Pacolli nga kompania “Mabco” thotë se dy kompanitë gjenden në gjykatë dhe është drejtësia që vendos për vijimin e çështjes. Sipas tij, punonjësit e kompanisë ‘Mabco’ dhe nënkontraktorëve të tyre janë telefonuar mbrëmjen e kaluar dhe njoftuar se nuk duhet të vinin në punë ditën e sotme. Megjithatë duke mos pasur komunikim zyrtar, punonjësit janë prezantuar në punë, por nuk janë lejuar të hyjnë brenda ambienteve të aeroportit.

Bëhet fjalë për punonjësit që punojnë brenda terminalit, në ambientet e jashtme dhe zjarrfikëse. Afati i këtyre firmave që u ndaluan për përfundimin e punimeve është fundi i muajit maj, i cili është shtyrë edhe për 3 muaj, pra gushti është afati përfundimtar. Sipas Ismet Pacollit, s’ka pasur asnjë lajmërim zyrtar për situatën, e cila prek punonjësit.

“Ne kemi problemin me nënkontraktorët që janë të pafajshëm. Nuk kanë lidhje nënkontraktorët me kontratat e ‘VIA’-s dhe ‘Mabco’-s. Ata duan të bëjnë punën e tyre dhe për ta bërë, e kanë afatin deri në fund të muajit. Prej fundit të muajit iu nevojiten 10 ditë për t’i nënshkruar situacionet e tyre dhe dërguar faturat për pagesë. Ata kanë hallin e tyre e po ashtu edhe unë, çka bën që mes ‘Mabco-s dhe ‘VIA’-s apo shtetit, ka kush i drejton ato punë”, tha ai duke shtuar se ndalimi është bërë nga disa punonjës të “VIA”-s.

Kërkesa e “Mabco” është dakordësimi me kompaninë për të vijuar punën.

“Ne kërkojmë prej VIA-s që ata që kanë bërë bllokadën të vijnë këtu ose ne në zyrat e tyre, të flasim si njerëz. Ata duhet të kërkojnë prej eprorëve që nënkontraktorët të lejohen të hyjnë brenda”, u shpreh Pacolli.

Kjo është përplasja më e fundit nga konflikti i nisur muaj më parë nga dy ortakët e shoqërisë “VIA”. Shkak për konfliktin është çështja e kuotave të aksioneve.

Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49%, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.

Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranon dhe bllokon veprimtarinë e “Mabcos” që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë “2A Group”.

Ndërkohë rezultoi se “Mabco” e Pacollit kishte marrë një kontratë kredie prej 100 milion eurosh nga Delphos, një fond investimesh guackë. Për këtë, Ademi hapi një tjetër çështje në gjykatë, duke kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.

Gjykata e Apelit vendosi t’i njihte ortakut të “2A Group” të drejtën e administrimit, “duke parandaluar tjetërsimin e kuotës të ortakut “2A Group” dhe mos lejimin e marrjes së administrimit të propozuar me një statut të paligjshëm, me qëllim firmosjen e kontratës me “Delphos” për tjetërsimin e aeroportit, nga përfitues të panjohur, për të cilët shtetit shqiptar nuk do të kishte juridiksion për ta kontrolluar e ngritur padi ndaj kësaj kontrate të kamufluar si kredi”, deklaruan mbrojtësit ligjor të “2A Group”.

Palët vijojnë përplasjet gjyqësore për shqyrtimin në themel, në Shkallë të parë, të dy çështjeve të hapura mes tyre.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Po ashtu, SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.

Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35-vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.

Lajm në përditësim...