Nënkontraktorët e aeroportit të Vlorës, të firmës MABCO, të cilët presin një përgjigje për mbylljen e punimeve në kantier, edhe gjatë ditës së sotme kanë qëndruar sërish përpara hyrjes së kantierit të ndërtimit. Kjo është dita e pestë radhazi që ata kërkojnë të hyjnë në kantier për të marrë mjetet dhe materialet e tyre të punës.
Nënkontraktorët shprehen se janë ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare, ndërsa deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me situatën. Ndërkohë, në zonë vijojnë të jenë të pranishëm efektivë të policisë.
Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.
Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.
Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Komente






