Përplasja për tokën te Kepi i Rodonit, prokuroria merr në pyetje ish-deputetin Mark Frroku dhe familjen Kaçuli! Report Tv zbardh dëshmitë

DURRES - Zbardhet dëshmia në prokurori e ish deputetit Mark Frroku i cili u arrestua dje së bashku me 7 persona të tjerë pas një përplasjeje të dhunshme fizike për pronën në Kepin e Rodonit.

Prokuroria ka marrë në pyetje palët në konflikt për një sipërfaqe toke, rreth 5 dynym e 417 metër e cila ka dalje në det.

Aty të dielën e 29 tetorit, familja Kaçuli mbështetur nga banorë të zonës dhe miq të tyre, kundërshtuan punimet për rrethimin e një sipërfaqeje toke të pretenduar njëherësh nga Kisha Franceskane dhe nga Bajram Kaçuli.

Mark Frroku ka deklaruar se është kontaktuar nga kisha me bërë rrethimin dhe thotë se nuk dinte të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës si dhe nga ata që ishin me të në vendngjarje

“Jam kontraktuar nga kisha për të bërë rrethimin e tokës.Në momentet që po punonim jemi sulmuar nga një grup fshatarësh të cilët na thanë që të ndërpresim punimet se toka është e jona.Na kanë goditur e ne jemi mbrojtur. Ndërkohë ka ardhur policia e na ka ndarë e më pas na ka ndaluar. Lidhur me tokën, kisha ka dokument të vjetër pronësie. Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës sidhe nga ata që ishin me mua në vendngjarje" ka thënë ai para prokurorëve.

Ndërkohë familja Kaçuli është shprehur se kishin shkuar për të mbrojtur tokën që e kishin fituar me letra me ligjin 7501

"Shkuam për të mbrojtur pronën tonë sepse e kemi me letra sipas 7501.Aty jemi penguar nga njerzit e kishës dhe jeni përleshur me ta.Njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë në ajër por nuk kemi mundur që ta identifikojmë se cili ishte"

Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasit Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike". 

Ata pritet të dalin nesër në Gjykatën e Durrësit për vlerësim të masës së sigurisë.

Policia ka shpallur në kërkim Besnik Tomën, shoferin e Mark Frrokut pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në vendin e konfliktit ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Ai është administrator i kompanisë “A.M-L Group”, e cila është kontraktuar për të kryer punimet e murit rrethues nga pjesëtarë të kishës.

Referuar dokumentacionit në QKB, në datën 3 korrik 2023, me vendim të Mark Frrokut, i cili është aksioner me 100% ka zgjatur emërimin e Besnik Tomës deri në vitin 2026.

Nga pala tjetër në konflikt, janë vënë në pranga banorët e zonës, Bajram Kaçuli, pretendent i pronës dhe Erjon Reka, Ylli Reka e Erjon Reka, të akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Vetëgjyqësi”, të cilët janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut dhe përfaqësues të kishës katolike që po kryenin punimet e rrethimit. Policia tha se ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasin Ndue Sokoli për “Moskallëzim krimi”.

Si nisi konflikti i pronës

Konflikti i pronës tek Kepi i Rodonit ka nisur një vit më parë, kur Kisha Franceskane përmes kompanive private nisi punimet për rrethimin e tokës që e pretendon me çertifikatë pronësie. Punimet u kundërshtuan nga banori i zonës, Bajram Kaçuli që pretendon se ka edhe ai çertifikatë pronësie për të njëjtën zonë duke akuzuar palën tjetër për falsifikim. Çështja e dokumentacionit të pronës ndodhet në SPAK, madje prokuroria ka sekuestruar dosjet për verifikim, ndërsa Kisha ka vijuar ngritjen e rrethimit. Policia tha se për pretendimet e palëve për çertifikatën e pronësisë, janë referuar disa herë materialet në Prokurori, pas konflikteve që ka patur herë pas here mes palëve.  

Të arrestuar
Bajram Kaculi
Erjon Reka
Orgito Reka
Ylli Reka
Mark Frroku
Antonio Lazari
Pal Doda
Martin Lazeri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:13
Sherri për tokën te Kepi i Rodonit, reagon Provinca Françeskane: Distancohemi nga dhuna! Pronësinë e kemi përfituar në 2008! S'kemi pasur konflikt

Provinca Françeskane ka reaguar në lidhje me konfliktin e dhunshëm për pronën në Kepin e Rodonit dy ditë më parë që çoi në pranga 8 persona, mes tyre dhe ish-deputetin Mark Frroku. Në deklaratë Provinca Françeskane thotë se e kanë përfituar pronësinë e tokës që u bë mollë sherri te Kepi i Rodonit në 2008. Ndërsa nënvizon se distancohet nga dhuna, në deklaratë theksohet se prona në Kepin e Rodonit është pronë e Provincës Françeskane dhe jo e Kishës Katolike në Shqipëri.

Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” thekson se: Mes Provincës Françeskane dhe znj. Shtjefni në cilësinë e administratores së Shoqërisë Albania Tourist Resort ka pasur një marrëdhënie kontraktuale qiraje me objekt pronën e Provincës në Kepin e Rodonit, kontratë e cila nuk ka më fuqi ligjore prej datës 14.04.2023 pasi është zgjidhur nga Provinca Françeskane, për arsye të mospagimit të qirasë nga qiramarrësja për më shumë se gjashtë muaj të njëpasnjëshëm, rast i përsëritur për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve. Që prej kësaj date, znj. Shtjefni nuk ka më asnjë të drejtë mbi këtë pronë.

Deklarata e plotë:

Enti Fetar, Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” me qendër në Shkodër është subjekt juridik shqiptar që prej vitit 1992, dhe ka shtrirje të pronave dhe objekteve fetare në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” deklaron se distancohet dhe është kundër çdo lloj dhune.

Në lidhje me ngjarjen e datës 29 Tetor 2023 në hyrje të Kepit të Rodonit bëjmë me dije sa më poshtë vijon:

– Provinca ka lidhur një kontratë sipërmarrje kryerje punimesh me firmën AML Group shpk për kryerjen e instalimit të rrjetit të rrethimit ekzistues të pjesës jugore të pronës dhe ka filluar punën për zbatimin e kontratës.

– Policia e Manzës ka shkuar në mëngjesin e datës 29.10.2023 në hyrje të Kepit të Rodonit, pasi ishte njoftuar për ndërtim pa leje. Punonjësit e firmës AML Group shpk që po kryenin punimet aty, anë sqaruar Policinë e Manzës duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi u vërtetua se nuk bëhej fjalë për punime pa leje dhe se informacioni ishte i pasaktë, policia është larguar.

– Pas largimit të policisë, disa persona të identifikuar si familjarë të shtetasit Bajram Kaculi, kanë sulmuar me mjete të forta punëtorët e shoqërisë, e cila po zbatonte kontratën e sipërmarrjes. Për t’i ndarë ata, ka ndërhyrë një punonjës i Provincës i cili është dëmtuar dhe është dërguar me urgjencë në spital. Në vendngjarje ka ardhur policia që ka shoqëruar personat e përfshirë aty në konflikt nga të dy palët dhe çështja është në ndjekje nga organet proceduese.

Në lidhje me Pronën e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Kepin e Rodonit, sqarojmë sa më poshtë vijon:

– Provinca Françeskane, ka përfituar pronësinë në territorin e Kepit të Rodonit me Vendimin nr. 416 datë 31.01.2008 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe nuk ka pasur konflikt me asnjë shtetas. Për pronësinë e pasurisë nr.30/6 ka paraqitur pretendim një shtetas i katundit Shetaj. Normalisht për një pretendim të tillë ai shtetas duhet t’i drejtohet gjykatës, pasi kjo pasuri është regjistruar nga Provinca që në vitin 2008, ndërsa ky shtetas e ka të regjistruar në vitin 2019.

Kjo pronë në Kepin e Rodonit është pronë e Provincës Françeskane Zoja Nunciatë dhe jo e Kishës Katolike në Shqipëri.

– Pas ngjarjes së datës 29.10.2023, në disa Media është theksuar fakti se shtetësja Ana Shtjefni është përfaqësuesja e Provincës Françeskane. Sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë, znj Shtjefni nuk është përfaqësuese e Provincës Françeskane.

Mes Provincës Françeskane dhe znj. Shtjefni në cilësinë e administratores së Shoqërisë Albania Tourist Resort ka pasur një marrëdhënie kontraktuale qiraje me objekt pronën e Provincës në Kepin e Rodonit, kontratë e cila nuk ka më fuqi ligjore prej datës 14.04.2023 pasi është zgjidhur nga Provinca Françeskane, për arsye të mospagimit të qirasë nga qiramarrësja për më shumë se gjashtë muaj të njëpasnjëshëm, rast i përsëritur për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve. Që prej kësaj date, znj. Shtjefni nuk ka më asnjë të drejtë mbi këtë pronë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sotir: 31/10/2023 11:25

    Cudi se si Rama e ka lene pa toke strategjike Markun e ky shtyhet neper kisha ku te zhvase.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale