Kryeministri Edi Rama është shprehur se reagimet ndërkombëtare për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, janë një luftë politike e ideologjike që nuk i takon Shqipërisë.
Duke përmendur reagimin e senatorit demokrat amerikan Bernie Sanders, Rama tha se interesi i tij është lufta ndaj Presidentit Donald Trump dhe jo Zvërneci, apo dëmtimi i mjedisit.
Sipas kryeministrit, nëse ndonjë senator amerikan do ishte i interesuar për mbrojtjen e natyrës apo të drejtës së pronës, do kishte reaguar më parë për protestat që kundërshtojnë resortin që do të ndërtohet nga botuesi Bashkim Ulaj në Rrjoll.
“A ka shqiptarë që mendon me mendjen e vetë, që nuk e ka kuptuar akoma që gjithë kjo lemeri në gjuhë të huaja në mbështetje të protestës, është projektimi i një lufte politike e ideologjike që nuk është lufta jonë. E një përplasje mes të mëdhenjsh, që nuk është puna jonë. Nëse do të ishte bota kaq e ndjeshme sa senatorët amerikanë do kishin në zemër zogjtë dhe plazhet e Shqipërisë, do kishin thënë ndonjë fjalë për Rrjollin. Asnjë fjalë. Këtu fjala nuk është për mjedisin, por për presidentin e SHBA-ve. Kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e SHBA-së, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe nuk mund t’i përdorin shqiptarët si mish për top”, deklaroi Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i PS, Rama: Shqipëria s’ka qenë kurrë në shitje, ejani verifikoni faktet! Projekti i Zvërnecit do ta kthejë në xhevahir të Mesdheut!







