Avokati i Popullit ka zhvilluar një takim në Shkodër, ku janë diskutuar disa nga problematikat kryesore që prekin qytetarët, si strehimi, bonusi i qirasë, çështjet sociale dhe problematika e pronave.
Gjatë deklaratës për mediat, drejtuesi i institucionit u shpreh se Avokati i Popullit mbetet garant i të drejtave të njeriut dhe se zyra rajonale në Shkodër ka ndjekur nga afër situatën në terren, përfshirë edhe rastet që lidhen me konfliktet e pronësisë në zonën e Rrjollit.
Sipas tij, disa prej këtyre çështjeve janë aktualisht në proces gjyqësor dhe institucioni nuk mund të zëvendësojë rolin e gjykatës. Ndërkohë, për projektet zhvillimore në zonë nuk ka pasur ankesa zyrtare nga qytetarët.
“Jemi të shqetësuar kur aktorë privatë marrin të drejta dhe tejkalojnë kompetencat e tyre. Kemi kërkuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbikëqyret”, deklaroi ai.
I pyetur nëse ka standarde të dyfishta në reagimin e institucioneve për rastet e Zvernecit dhe Rrjollit, Avokati i Popullit refuzoi të bëjë komente politike, duke theksuar se institucioni që drejton ka vetëm një standard: mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, veçanërisht të atyre që nuk kanë zë.
Ai bëri të ditur se vetëm gjatë kësaj periudhe zyra e Avokatit të Popullit ka trajtuar mbi 2 mijë ankesa nga qytetarët, ndërsa theksoi se sfida më e madhe mbetet rikthimi i besimit të publikut tek institucionet.
Sipas raportit të institucionit, ndër problematikat më të mëdha në vend vijojnë të mbeten çështjet e kadastrës, pensioneve, strehimit dhe trajtimit të fëmijëve.
Duke iu referuar incidentit të ndodhur në Zvernec, Avokati i Popullit deklaroi se institucioni ka nisur hetimin administrativ vetëm 30 minuta pas ngjarjes, duke e cilësuar të papranueshme çdo formë dhune ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
“Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe Policia e Shtetit kishte detyrimin ta mbikëqyrte dhe ta garantonte atë”, u shpreh ai.
Komente











