Tregu i Qukësit në bashkinë e Përrenjasit është jashtë çdo standardi shërbimi apo higjieno- sanitar. Ndodhet në anë të rrugës nacionale. Automjetet ngrenë re pluhuri. Bagëtitë transportohen si mos më keq, të lidhura kokë e këmbë duke i torturuar. Pastaj kur mbërrijnë në atë që është caktuar si vend tregu, ose lihen të lira, ose mbahen nëpër kafazë.
Tregu nuk ka rrethim. Për më tepër aty ka dhe tregje të natyrave të ndryshme që shesin mallra industriale, tregtarë të vegjël që shesin ç’të munden, qoftexhinj, pijetore të improvizuara etj. Tregtarët e bagëtive janë të pakënaqur. Ata shprehen:
Tregu duhet të jetë i rrethuar dhe me rregull, të ketë pastërti dhe standarde. Kërkojmë ndërhyrjen e bashkisë për zgjidhjen e këtij problemi.
Tregtarët
Ndërsa, Kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rira shprehet:
Pas reformës territoriale, bashkia Përrenjas është e përbërë nga 35 mijë banorë. Tregu i Qukësit është përcaktuar si një qendër kryesore për tregtimin e gjësë së gjallë.
Kryebashkiakja, Miranda Rira
Sipas saj aty tregtohen mijëra kokë bagëti.Por Rira e pranon situatën. Sipas saj bashkia ka hartuar 2 projektvendime që e zgjidhin si një problem pasi tregu ekzistues nuk plotëson asnjë standard higjenik dhe normative evropiane. Tregtarët nuk paguajnë asnjë tarifë në fakt, sipas kryebashkiakes në radhë të parë atyre u duhen krijuar kushte. Më tej Kryebashkiakja Rira thekson problematikën e veçantë që ka ky treg.
Tregu i Qukësit ka edhe një problematikë të veçantë. Bashkia ka konceptuar dhënien me koncesion meqenëse nuk i ka mundësitë financiare për ndërtimin e një qendre të organizuar dhe të kontrolluar. Por ka hasur në një problem me pronësinë që ia ka vështirësuar punën. Ndërkohë tregu i Rrajcës dhe tregu i Stravajt, janë shkrirë si tregje, gjë që ka grumbulluar gjithë gjënë në tregun e Qukësit. Sa i përket certifikimit dhe matrikullimit, ai kryhet nga veterinerë privatë në varësi të Drejtorisë së Bujqësisë Edhe kontrolli klinik bëhet me veterinerë.
Kryebashkiakja, Miranda Rira
E pyetur se kur do të zgjidhet problemi i tregut të bagëtive, kryetarja e bashkisë Prrenjas shprehet:
Në bashki është krijuar një grup pune, i cili merret me standardet që janë në dijeni me problemin. Brenda verës kjo çështje do të marrë zgjidhje. Profilizimi i tregut të bagëtive do ta ndajë atë edhe nga tregjet e tjerë të improvizuar aty.
Krybashkiakja, Miranda Rira