Partia e Lirisë ka reaguar sërish ndaj qëndrimit të Partisë Socialiste kundër arrestimit të Belinda Ballukut.
Përmes një deklarate për mediat, anëtarja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, Miranda Rira, është shprehur se dje u pa qartë mbrojtja që kryeministri Edi Rama po i bën Belinda Ballukut.
Rira theksoi se të gjitha rrugët e ndërtuara kur Balluku ishte ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës janë shembur, duke shtuar se edhe tunelet e ndërtuara gjatë kësaj kohe janë një rrezik për jetët e qytetarëve.
Duke e akuzuar Ramën si të përfshirë në korrupsion, Rira tha se mbrojtja që ai po i ofron Ballukut, bëhet me qëllim që kryeministri sipas saj të mbrojë në radhë të parë vjedhjet që ka bërë vetë.
Deklarata e Miranda Rira:
Të gjithë ishim dëshmitarë dje të përsiatjes së Kryeministrit Rama në mbrojtje të vartëses dhe bashkëpunëtores së tij, znj. Belinda Balluku. Pakkush mund ta kuptojë hallin e madh që mund ta shtyjë një Kryetar të Këshillit të Ministrave, të bëhet parzmore nga drejtësia për të mbrojtur ministren e vet nga arrestimi, kur ministrat e tjerë, madje edhe paraardhësin e Ballukut i lëshoi me një të rënë të lapsit, me justifikimin se ata hanë dardha e kumbulla pas kurrizit të tij.
Pakkush, mund ta kuptojë se përse një Kryeministër, që tashmë i ka të gjitha pushtetet, që nga emërimi i Presidentit, tek Gjykata Kushtetuese, që nga lepe-peqet e bashkive e deputetëve e deri tek Kreu i Këshillit Kombëtar për shkencën dhe kërkimin shkencor, nga burgjet, adminstrata e agjensitë publike, nga Kreu i Këshillit të Territorit të vendit ku jepen lejet për kullat, tek ai që vendos për portet e malet vendit, si ka mundësi që një Kryeministër me kaq shumë pushtet, i ngjashëm me atë të një tirani apo autokrati klasik, të ulë veten kaq poshtë sa të mbrojtë të pambrojtshmen, sa t’u shesë sapunin për djathë shqiptarëve se Belinda Balluku është e pafajshme??
1.1 miliardë euro janë të mjaftueshme për të pohuar se një zyrtare është e korruptuar!!
Mbrojtja e djeshme e bërë nga dikush që është në hall dhe 83 manekina që mezi frymojnë në një dhomë ku nuk ka oksigjen, tregon shqiptarëve se “Reforma e re në Drejtësi” është vetëm një farsë, një gënjeshtër që iu është shitur shqiptarëve për rreth një dekadë, sepse kjo reforme u ngjiz nga vetë ky Kryeminstër që sot po e lufton më shumë se kushdo atë.
Me 10-ra e 100-ra herë kjo qeveri ka pohuar se “Reformën në Drejtësi e bëmë ne”, bash këtë strukturë që vetë tani po e sulmoni, sepse sic thotë populli, po iu vjen veza tek të ndenjurat.
‘Nëse ju Z. Rama mbroni Ballukun sepse në ato 16.000 faqe që ka sjellë prokuroria janë ca mesazhe që skanë asnjë lidhje, a mund t’iu thoni shqiptarëve se përse e arrestuat Z. Ilir Meta për ca mesazhe e thashetheme të thëna jo nga ai por nga persona të tretë, 10 vite më parë? Për ne që e kemi lexuar atë dosje e dimë se është një mal më rrena e me broçkulla që u sajua nga ca letra anonime për të izoluar politikisht Ilir Metën, që ju të merrnit mandatin e 4-rt. Për më tepër, nuk u sollët me dinjitet ndaj ish - mikut dhe bashkëpunëtorit tuaj, por nxorët disa kamikazë me kapucë për ta denigruar atë, madje edhe e filmuat nga dritarja e hotelit përballë dhe ia hodhët atë 700 tenxhereve tuaja që ta shqyejnë ethshëm.
As për Ahmetajn dhe Veliajn nuk u bëtë parzmore për drejtësinë, por e latë atë lisho, duke mos u marrë me thelbin e cështjes por me të brendshmet e grave të tyre.
Askënd dhe askush nuk është mbrojtur më herët në këtë nivel. Madje, memeceve dhe peqe-lepëve në sallë iu tha mos flisni, kycni goën. Ky ishte një mesazh i qartë, “vidhni sa të doni, por mos flisni”. Vidhni me gojë qepur. Kështu s’do na hyje asgjë në këmbë, të gjithëve bashkë. Kjo është sjellja e një bande, jo e një grupi paralmentar, jo e një qeverie.
Kjo është dretjësia e re? Kjo është reforma juaj Z. Rama? Kjo nuk është as drejtësi më 2 standarte, por është një drejtësi e bërë çarçaf, të cilën e lavdërojmë kur bëjme gjueti shtrigash dhe e shajmë kur preket Belinda Balluku.
Nuk mbulohet dielli me shoshë, Z. Kryeministër, kësaj radhe gjithë rrugët e Belës janë shembur, tunelet kanë futur ujë, 2 tigrat e Vlorës janë aty, 16.000 fq janë aty, kesaj radhe populli shqiptar kerkon shpagim! Drejtësia duhet dhe do të triumfoje.
Komente











