Opozita, që e do këtë pushtet (jo për karrige thotë kryetari dhe ish kryetari i opozitës), është përkëdhelje të thuash se ka ashpërsuar tonet e saj. Përkundrazi, i ka kaluar tërë caqet e gjuhës vulgare të përdorur dhe kërcënimeve që lëshon si bobla idiotësh kundër vendit. Thonë se ja drejtojnë kërcënimet Edi Ramës, por kushdo e ka të qartë se kaosi e destabilizimi i drejtohet Shqipërisë së tërë, madje kombit.
Ajo po e akuzon qeverinë se është e lidhur me krimin, se e ka kthyer vendin në “Kolumbi” prej kultivimit të bimës narkotike kanabis, se kriminelët janë në qeveri, se kriminelët kontrollojnë vendin, se me paratë e drogës do blihen votimet dhe në mënyrë të dëshpëruar, në hallin e madh që i ka zënë me reformën në sistemin e drejtësisë dhe vetting-un, kërkojnë përmes kapërximit të rendit juridik, dorëheqjen pa kushte të kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie teknike. Natyrisht që qeveria i mohon këto akuza sepse nuk janë të vërteta dhe nuk mendon të tradhtojë përmes dorëzimit të pushtetit ata që i kanë besuar votën.
Shembulli është forma më e bukur e autoritetit
Forma më e thjeshtë që kuptojnë njerëzit për të të dhënë votën është t’i thuhet: ne do i kishim bërë (po të ishim në qeverisje) dhe do t’i bëjmë këto e ato gjëra më mirë, ne do ta kishim bërë Shqipërinë më të begatë. Ju beson kush vallë?
E dhatë ju shembullin kur nuk paguat mbi 300 milion euro kontraktorë të ndërtimit të rrugëve e të tjera investime, detyrim të cilin qëllimisht ja latë si gropë varri atyre që fituan vota më shumë se ju? Ishte një dinakëri që shkonte në raport të drejtë me dobësinë e pushtetit që dorëzuat. Megjithë dëshirën e ethëshme për të qenë në pushtet, nga i cili s’janë mbushur ende katër vjet që ke ikur, flet e sillesh sikur të mos ishe ti që në këto 26 vjet ke patur katër mandate qeverisje.
Njëzet vjet përpara, vëndin që jetonte ankthin e le të shkatërruar materialisht e moralisht. Shqiptarët, ndonëse kuptonin nga cili drejtim duhej shkuar, ndodhur mes gënjeshtrash, i penguat. Të lënë enkas për t’u mashtruar nga shtetarë profanë dhe administratorë amatorë, u qorrollepsën ndër konflikte që gatuhen në shtete të falimentuara, si ai që la Berisha. Në këto situata mijëra të mjerë humbën jetët, ndërsa luftënxitësit e mashtruesit jetuan të shëndetshëm e të lumtur. Ju njohim, dimë kush jeni dhe çfarë jeni të aftë të bëni me “republikën e re” të militantëve të vjetër!
U deshën vite pas 1998-ës për të shpresuar te një vizion i ri jete dhe asaj që mund të bëhej në të ardhmen. Por optimizmin dhe besimin e njerëzve Partia Demokratike me programin e saj nuk e solli.
Me këtë ndjenjë filloi punën ekipi qeverisës me Edi Ramën kryeministër. Askush nuk mund të harrojë startin spektakolar të këtij ekipi që në vitin e parë bëri të mundur të operonte dhe të hiqte nga trupi i drobitur i vendit dy tumore kanceroze: a)“Republikën autonome” të Lazaratit dhe prodhimit të drogës së ligjëruar nga pushteti; b)ushtrimi i pushtetit detyrues për pagesat e konsumit të mallit energji elektrike dhe vjedhjes masive që i bëhej asaj. Ish pushteti i Sali Berishës kish deklaruar jo pak herë se “Republika e Lazaratit” nuk ish dhe aq autonome, por varej prej tij.
Ajo ishte bastion i Partisë demokratike dhe si e tillë do lihej e qetë në ushtrimin e veprimtarisë kriminale dhe askujt të mos i shkonte ndërmend të futej në një territor ku ai mbështeste pushtetin e krimit. Ky njeri, me mënyrën e tij të filozofuarit, që gjendet të jetë e përshtatëshme për mendje të dobëta, desh bëri gjëmën kur atje u futën forcat e rendit. Nese qeveria nuk mundi dot të shkuli nga rrënjët kultivimin e kanabisit në zona të tjera të Shqipërisë, kjo më së shumti lidhet me përhapjen inflacioniste që kish marrë kjo bimë nën kujdesin e qeverisë Berisha.
Më tej, detyrohem të rikujtoj se shumica e atyre që vidhnin energjinë elektrike dhe nuk e paguanin i përkiste partisë së tij e që pa ndrojtje Partia demokratike i mori në mbrojtje “si të varfër” dhe, nën verbërin e urrejtjes, vunë nën akuzë qeverinë pse zbatonte ligjin. Pra, ti që e kishe pushtetin, pse nuk ngjau që të mos ndodhte nën ju kultivimi i kanabisit, kontrolli i territorit dhe vjedhja e enrgjisë elektrike?
U përpoqën me të gjitha mjetet të pengonin t’u dilej mbanë qëllimeve për forcimin e shtetit ligjor. Jo vetëm hapësira dhe budallallëku nuk njohin kufi por dhe shpifja në gojën e këtyre të rrezikuarve nga reforma në drejtësi. “Problemi ynë është së pari ekonomia...”, zbuloi dje në çadër Lulzim Basha, sikur të ishte kjo përgjegjësi e Partisë Socialiste dhe qeverisjes së saj në këto 1300 ditë që ndodhet në pushtet.
Një qëndrim dhe disa argumenta mbi shantazhin
Para njëzet vjetësh u gjendëm në fund të një lufte me shumë gërmadha përrreth. Atëhere të dukshme ishin gërmadhat materiale, sot janë gërmadhat morale, por që synojnë të bëjnë të pranishme edhe gërmadhat materiale. Kur keni qenë në qeverisje nuk ndodhi që të bënit ndonjë pagesë për të persekutuarit, të cilat tani po i ndan qeveria e Partisë Socialiste, ndonëse e di se s’do marrë ndonjë votë prej tyre?
Ligësia juaj shkon më tej kur ndërmend se po kjo qeveri po ndan dëmshpërblimet e përmbytjes në Shkodër, ndodhur në vitet e para të qeverisjes Berisha II, prej ku përsëri pak vota do marrë nga kjo mirësjellje kalorsish kohëshkuar. Janë qëndrime qytetarësh që shohin përtej urrejtjes krahinore që përçapet të mbjellë sorollopi berishjan dhe që për çdo problem që ka dalë e kanë gjetur një mundësi zgjidhje.
Qeverisjes demokratike disa qindra veta ia kanë parë dobinë. Asnjëherë ata nuk ua dolën në krye punëve që u diktonte administrimi i shtetit, ndaj dhe në qerthullin e krijuar shoqëria u detyrua të planifikojë sipërmarrje radikale, siç është kontrolli tërësor, atë që e quajtën Vetting.
Pas ngritjes së strukturave, ju të arsimuarit me paratë e Sorosit, që s’ishit kujtuar për të luftuar as episode e jo më fenomene punësh të pista, që shfaqeshin rëndom dhe nuk i kishit denoncuar kurrë, ndërtuat akuzën se reforma në drejtësi dhe vetting-u janë krijesat komuniste sorosiane, të financuara prej tij, me synim dëmtimin e demokracisë në Shqipëri, ku pa paratë e këtij miliarderi shqipot do arsimoheshin ende në ngrehina gjysëm gërmadha.
Në rreth katër vjet nuk ju u dëgjua zëri për reformën zgjedhore, s’keni paraqitur asnjë projekt-propozim; tre muaj para afatit ligjor të fillimit të procesit të regjistrimit habitët jo shqiptarët por komunitetin europian me propozimin për votim elektronik, pa qenë të penguar ta bënit propozimin të paktën dy vjet përpara; e çuat projektin e reformës në drejtësi deri në Komisionin këshillimor të Venecias e më pas në institucionet e larta gjykatore shqiptare.
Qëllimi: ta pengoni, ta vononi. Për shkak të mefshtësisë e shkujdesjes së Partisë Socialiste fituat 50% të komisionit të vetting-ut. Qëllimi: të bllokoni procesin. Dhe ja mbërritët. Arsyen e kësaj sjelljeje i fundit që ua tha ishte dje Ministri i Jashtëm Gjerman.
Përse e do pushtetin në këtë formë Lulzim Basha, përpos se të ruajë e të mbrojë strukturën e ndyrë të akumuluar në drejtësi, në partinë e tij dhe të atyre që ja lanë në derë?!
Gjuha e drunjtë, strategji që nxit mosbashkëpunimin dhe destabilizimin
Dialog: harrojeni! Ishte i turpshëm qendrimi i lidershipit opozitar pas konferencave të shtypit të ministrit të Jashtëm Gjerman dhe atij Holandez. Të vjen përfaqësuesi i politikës së jashtme Gjermane dhe të çvesh lakuriq, por ti nuk ke turp të dalësh në rrugë.
Të thotë frikacak dhe të drejton për të shkuar në vendin ku zhvillohet debati, në parlament, por ti i thua se je blerë nga droga. Kjo arrogancë e turpshme, që shoqërohet me duartrokitje shuplakash të paditurish apo shokë aventurash, ndodh ngase deklaratat mendojnë që janë në anën e tjetrit.
Me gjuhën e drunjtë që përdor Partia Demokratike dhe lidershipi i saj janë pa perspektivë për të ardhmen. Rasti për ta mund të vijë përpos se në kushtet e një sistemi dhe rendi të paqëndrueshëm. Ashtu siç janë, me mendësi dhe personalitet të frustruar, duke qenë se nuk kanë mundësi zgjedhjeje, u presin shqiptarve biletën e shtrenjtë, që do e paguaj jo Luli as Sala por ata që e paguan në ’97-ën.
Vlera e partisë që trashëgove z. Basha nuk është e thënë aspak të shndërrohet në vlerë vetjake. Me në fjalë, mund të kesh gjithë formacionin e një organizmi politik, por nëse nuk ke autoritet, aftësi bindje dhe zgjuarësi, nuk shkon asgjëkundi, përpos marrëzisë së destabilizmit dhe thirrjeve për luftë, që i shkojnë për shtat një personi me shëndet mendor të dëmtuar. Ta besuan administrimin e partisë ata që donin të të përdornin siç po të përdorin, se sa për aftësi kam bindjen se nuk administroni dot sa qoshkun e gazetave në rrugën e banesës tuaj, madje mund ta falimentoi atë për tre muaj.
Ka mëse dy muaj që populli të sheh arrogancën dhe dehjen që ndihmon dobësimin më tej të sistemit tonë juridik, edhe ashtu të kalbur. Kushdo qytetar që kërkon të vihet në kërkim të të vërtetës për çka po ndodh ndihet sikur pluskon në një montazh surrealist dhe të krijohet ndjesia sikur ndodhesh mes të çmendurish.
Turpi i këtij kombi dhe shteti është se lufta e brendshme nuk ka fund. Turp! Mbase nuk është dhe aq turp në këndvështrimin politik sa mund të jetë një organizim keqdashës në kuptimin praktik, sa kohë nuk është parë të lëvizi kush gishtin e vogël për thirrjet antikushtetuese. Me një fjalë: individë që përdorin struktura e mbajnë qëndrime për të dëmtuar shtetin. Dhe ja kanë mbërritur jo keq, madje jo pak herë!
Tensioni i përhershëm i intereson vetëm atyre që nuk na duan. Kush e nxit dhe pse e nxit është detyrë e shërbimeve informative të shtetit për t’ja çuar prokurorisë. Është tjetër gjë të mos e honepsësh njëri-tjetrin dhe tjetër gjë kur shprehesh se: prisni-prisni se asgjë nuk keni parë, luftë kërkoni (!?) luftë do të keni! E doni vërtet luftën zotërinj? Por kujdes! Ju që luani gjithnjë kartën e konfliktit, mësoni se sjelljen e hareshme në një shtëpi që digjet e bën budallai!
Redaksia Shqiptarja.com