59-vjeçari Mbarim Xhemali, administratori i një lokali në Fier, është arrestuar pasi kishte përshtatur lokalin për prostitucion.
Xhemali rezulton i dënuar më parë për veprën penale "Rrëmbim personi". Gjithashtu nën hetim për prostitucion janë edhe një 33-vjeçare dhe një 55-vjeçare.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar "Premtimi", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.
Vihet në pranga, për shfrytëzim të prostitucionit dhe për mbajtje të lokaleve për prostitucion, administratori i një lokali në Fier, person me precedent të mëparshëm penal.
Procedohen penalisht dhe 2 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga administratori i një lokali, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor, u finalizua operacioni policor i koduar "Premtimi", në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, për veprat penale "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", shtetasi M. Xh., 59 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për veprën penale "Rrëmbim personi".
Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”, një shtetase 33 vjeçe dhe një shtetase 55 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në lokalin e marrë me qira nga shtetasi M. Xh., në Fier.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.