TIRANE- Ka nga ata që e quajnë edhe misionare e jetës. Dhe ajo e meriton plotësisht, pasi që prej më shumë se 35 vjetësh ajo pret të vegjlit që vijnë në jetë. Selvie Milloshi, nga Macukulli i rrethit të Matit, si infermiere dhe mami, në të gjithë jetën e saj, luftoi për ta mbrojtur jetën, jetën e dy qenieve, jetën e nënës dhe të fëmijës.

Por jeta e saj u ndërpre papritur plot 40 ditë më parë. Vështirë të gjesh një rast të dytë, së paku për krahinën e Matit, që tek një njeri i vetëm të jenë mbledhur cilësitë më të mira, të njeriut të papërtuar, të specialistes së shkëlqyer, që nuk kurseu energjitë, kohën, moshën e saj për të shpëtuar jetët njerëzore. Vajza e bukur me kaçurrela, me emrin Selvi, nga Macukulli hyri thellë dhe çiltër në zemrat e njerëzve, me vlerat dhe ndihmesën e pakursyer. Ajo ishte ndër të parat vajza të krahinës, që theu tabutë dhe paragjykimet e kohës, u shkollua në Korçë, ku u diplomua si mami - infermiere, me rezultate të shkëlqyera.

Menjëherë u emërua në qendrën shëndetësore Macukull, ku më 1971 u njoh me ndihmës mjekun Ndue Gjoni, me të cilin kaloi gjithë jetën e saj, deri në momentin e fundit kur dha frymë. Si një misionare e vërtetë e jetës, Selvie Gjoni nuk u lodh kurrë duke rendur derë më derë, e cep me cep të një komune, me shtrirje territoriale të gjerë e me një reliev mjaft të vështirë. Nga qendra në Daznjanë, Kalivaç, Valxhi, Vatëdodaj, Mexanë, Narcë, Gjokaj etj., ajo e kreu si rrallë kush misionin e saj fisnik e human, në shërbim të banorëve të të gjitha moshave, për 30 vjet me radhë duke qenë një pishtar dhe engjëll mbrojtës i shëndetit dhe kulturës mjekësore në Macukull.
(ek/sg/shqiptarja.com)