Për më shumë se një javë, diplomati më i lartë amerikan, sekretari i Shtetit Marco Rubio, qëndroi çuditërisht në heshtje për një çështje që normalisht do të ishte në qendër të rolit të tij: marrëveshjen e re në formim me Iranin.
Kjo bëri që shumë analistë të dyshonin se Rubio, ashtu si shumë konservatorë të politikës së jashtme amerikane, kishte rezerva ndaj saj, shkruan CNN. Tashmë Rubio ka folur publikisht, por mesazhi i tij ndryshon ndjeshëm nga ai i presidentit Donald Trump dhe zv/presidentit JD Vance.
Gjatë vizitave në vendet aleate të Lindjes së Mesme, Rubio ka shmangur mbështetjen e fortë për memorandumin e mirëkuptimit (MOU), ndërsa ka paraqitur një qasje më të ashpër për disa nga pikat kryesore të marrëveshjes dhe procesit të paqes.
Udhëheqësit iranianë
Një shembull i qartë u dha të enjten, kur Rubio përsëriti deklaratat e tij të mëparshme, duke i cilësuar drejtuesit e Iranit si "klerikë radikalë" dhe "fanatikë fetarë".
"Sistemi iranian udhëhiqet nga klerikë radikalë. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu vazhdon të jetë," deklaroi Rubio gjatë vizitës në Bahrein.
Këto komente vijnë vetëm një javë pasi Trump dhe Vance habitën shumëkënd duke sugjeruar se udhëheqësit iranianë mund të kenë ndryshuar qëndrim. Trump deklaroi më 16 qershor, gjatë samitit të G7 në Francë: "Po negociojmë me njerëz që besoj se janë shumë racionalë. Ishin të sjellshëm, të fortë dhe të zgjuar. Nuk janë të radikalizuar dhe duan të ndihmojnë vendin e tyre."
Edhe Vance sugjeroi se në Iran po rritet bindja se politika 47-vjeçare antiamerikane ka qenë një gabim.
"Mund të shohësh si njerëzit më të ashpër, ashtu edhe ata më politikë që po thonë se marrëdhënia me SHBA-në gjatë 47 viteve të fundit ka qenë një gabim. Le të hapim një faqe të re," tha ai.
Megjithatë, si Vance ashtu edhe Rubio theksuan se vetëm koha do të tregojë nëse qëllimet e Iranit janë vërtet ndryshuar.
Programi raketor
Një nga mungesat më të habitshme të memorandumit ishte fakti që nuk përmendet programi raketor iranian, edhe pse në fillim të konfliktit administrata Trump e kishte paraqitur këtë si një nga objektivat kryesore.Madje, Trump duket se e zbuti ndjeshëm këtë qëndrim.
"Ata duhet të kenë disa raketa, sepse edhe të tjerët kanë. Raketat nuk janë problemi, sepse nuk shkatërrojnë planetin," deklaroi ai.
Më vonë shtoi se, "në përmasa relative", programi raketor iranian është i pranueshëm. Ndërkohë, Rubio mbajti një linjë shumë më të fortë gjatë vizitës në Kuvajt, duke garantuar aleatët e SHBA-së në rajon se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani t'i kërcënojë ata.
"Nuk do të bëjmë asgjë që cenon sigurinë e aleatëve tanë të kahershëm në rajon," u shpreh ai.
Grupet aleate të Iranit
Një tjetër objektiv i administratës Trump, që nuk përmendet qartë në memorandum, ishte ndërprerja e mbështetjes së Iranit për grupet si Hezbollah dhe Hamas. Rubio argumentoi se kjo është e nënkuptuar në marrëveshje, pasi ajo parashikon që Irani, SHBA-ja dhe aleatët e tyre të shmangin çdo veprim armiqësor dhe përdorimin e forcës kundër njëri-tjetrit.
"Nuk mund të ketë fund të konflikteve në rajon për sa kohë që grupet e mbështetura nga Irani lëshojnë raketa e dronë nga Iraku apo kryejnë akte terroriste si Hamasi dhe Hezbollah," tha Rubio në Abu Dhabi.
Edhe Vance kishte dhënë një interpretim të ngjashëm, duke thënë se kjo nënkupton se Irani duhet të ndalojë financimin e organizatave terroriste dhe destabilizimin e rajonit. Trump, megjithatë, u shpreh më pak kategorik, duke lënë të kuptohet se çështja e grupeve aleate dhe programit raketor do të trajtohet më vonë, në një proces paralel me vendet e Gjirit.
Çështja e Libanit
Një nga çështjet që rrezikon më shumë procesin e paqes është konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Rubio deklaroi se procesi në Liban është i ndarë nga marrëveshja SHBA-Iran.
"Libani është një shtet sovran me qeverinë e tij dhe për çështjet që lidhen me të do të negociojmë drejtpërdrejt me qeverinë libaneze," tha ai.
Ky qëndrim bie pjesërisht në kontrast me interpretimin e Vance, sipas të cilit memorandumi detyron edhe aleatët e SHBA-së dhe Iranit, përfshirë Izraelin dhe Hezbollahun, të ndalin menjëherë operacionet ushtarake, përfshirë ato në Liban.
Në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, Vance tha: "Kjo do të thotë se presim që Hezbollahu të ndalojë sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, por edhe që Izraeli të mos ndërmarrë veprime të pakontrolluara në Liban. Të dyja palët duhet të respektojnë marrëveshjen."
Javën e kaluar, Trump dhe Vance ushtruan gjithashtu presion ndaj Izraelit që të mos përshkallëzojë konfliktin me Hezbollahun, duke lënë të kuptohet se një reagim i tepruar mund të dëmtonte procesin e paqes me Iranin.
Ky qëndrim u kritikua nga konservatorët amerikanë të politikës së jashtme, të cilët e interpretuan si një përpjekje për të kufizuar të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur. Në këtë kontekst, Rubio ka tentuar të qartësojë pozicionin e administratës, por mbetet ende e paqartë nëse interpretimi i tij përfaqëson qëndrimin përfundimtar të Shtëpisë së Bardhë.
Komente









