PERU - 11 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e rrëshqitjes së tokës në një fshat në rajonin e varfër të El Poverin të Perusë.

Sipas autoriteteve të paktën 10 persona rezultojnë të humbur, ndërsa mes personave të vdekur 5 prej tyre ishin fëmijë.

Guvernatori i provincës, Ronald Garcia tha se dhjetëra shtëpi u shkatërruar, ndërsa u shpreh se ka shumë pak shpresa që personat e humbur të kenë arritur të shpëtojnë, e të jenë larguar në kohë.

Rrëshqitjet e tokës erdhën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat shkaktuan ngritjen e shtratit të lumit të baltës i cili vërshoi duke shkatërruar gjithë shtëpitë që ndodheshin rreth e rrotull tij.

Shumë banorë të zonës janë bashkuar me autoritetet në kërkim të të mbijetuarve, por vërshimi i vazhdueshëm i ujërave ua ka bërë punën të vështirë.

Ndërkohë qeveria e Perusë ka dërguar ndihma humanitare për banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, përfshirë ushqime, veshje dhe batanije.

(ed.ka/Shqiptarja.com)