Përurohet ura e re në Zall Bastar, Veliaj: Shkurton distancën me Tiranën në 15 minuta! Ata që djegin goma, kanë 8 muaj që nuk paguajnë taksat

Me urën e re, Zall Bastari është më afër Tiranës, një distancë që shkurtohet në 15 minuta. Në përurimin e investimit për banorët, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se sot Zall Bastari është pjesë e hartës së zonave të urbanizuara. Ai ftoi të gjithë qytetarët ta vizitojnë atë, ndërsa theksoi se kjo zonë i shtohet destinacioneve që turistët e huaj vizitojnë në Tiranë.

“Kur ka bashkëpunim, kur nuk e pengojmë njëri-tjetrin, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Tani që këtu vjen për 15 minuta kam një ftesë për të gjithë: Ejani në Zall Bastar! Tirana është e mbushur me turistët, por pasi kanë ardhur në qendër, duan të shohin edhe natyrën e katundeve tona. Tani që kemi infrastrukturën, kur Zall Bastari është vetëm 15 minuta larg Tiranës, na duhet që ta promovojmë zonën. Infrastrukturën e bëmë, tani duhet të sjellim njerëzit. Duke sjellë njerëzit, turizmin, promovimin, vjen ekonomia, financat dhe shpenzimet”, tha Veliaj.

Ai tha se punohet me të njëjtin standard si në qendër, ashtu edhe në periferi, ndërkohë që ironizoi përfaqësuesit e opozitës që djegin goma në mes të qytetit.

“Se je në Bllok, se je në Zall Bastar, ne punojmë me të njëjtën cilësi. Shikoj ata që djegin goma dhe kanë tetë muaj që nuk e paguajnë ujin, dritat dhe taksat, por shikoj edhe familjet modeste në Zall Bastar që nuk lënë një ditë pa i paguar, aq sa është kontributi, sepse kështu funksionon, secili duhet të kontribuojë dhe pastaj, me këtë kontribut, bashkia duhet ta shperndaje, që të ketë mirëqenie kudo. Të ulërasësh me të madhe dhe të thuash poshtë taksat, ndërkohë që taksat janë modeste dhe paguhen 100% në Zall Bastar dhe të dalësh si gjel mbi pleh dhe të kesh tetë muaj që nuk paguan ujë dhe drita e taksa, ky është turp i madh”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se transformimi infrastrukturor i Zall Bastarit do të sjellë zhvillimin e zonës edhe në aspektin ekonomik të saj, duke nënvizuar se është vetëm çështje kohe që edhe kjo zonë të përfitojë nga të mirat materiale të Tiranës.

“Nuk do presim zgjedhje të tjera për të bërë inaugurime. Çfarë është për t’u bërë, çfarë është fjalë për t’u mbajtur dhe punë për t’u kryer, do ta kryejmë kur është moment i duhur. Tani që kemi kaluar edhe projektin e rrugës së Vilëzës, që është lidhja e fundit e nevojshme për Zall Bastarin, jemi në një situatë më të mirë nga ana logjistike. Gjithmonë e më shumë njerëz në Tiranë ose të huaj, po kërkojnë prona në fshat, po dalin në pension në fshat, po i kalojnë vitet e pleqërisë në fshat. Është vetëm çështje kohe që edhe Zall Bastari të përfitojë nga këto të mira materiale të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë