Në Marinzë, 10 anëtarë të Këshillit Sindikal vijojnë grevën e urisë prej pesë ditësh. Ditën e sotme është përkeqësuar gjëndja shëndetësore e tre prej grevistëve në zyrat e Sindikatës të Sektorit Hidrokarbur në Marinzë.
Vetëm pak minuta më parë mjekët kanë mbërritur me ambulancë për të monitoruar nga afër situatën e tyre.
Të 10 anëtarët e këshillit sindikal kanë shfaqur probleme shëndetësore, si temperaturë, lodhje, marramëndje, e dhimbje koke, ndërsa tre prej tyre kanë marrë dhe injeksione.
Pavarësisht plogështisë në ditën e pestë të grevës së urisë, grevistët janë të vendosur t'i shkojnë deri në fund plotësimit të kërkesave të tyre të mbështetur edhe nga punonjësit e fushës naftëmbajtëse të cilët vijojnë gjithashtu grevën me bojkot pune.
Ata kërkojnë rritje page prej 9% për punonjësit me paga më të ulëta dhe alokimin e 1% të fondit total të pagave për krijimin e një fondi sindikal.
Por, kompania kineze Bankers Petroleum, në një reagim të bërë pak ditë më parë deklaroi se rritja e pagave aktualisht nuk është e përballueshme financiarisht. Megjithatë, kompania ra dakord për rritjen e trajtimit ushqimor në përputhje me normat e kompanisë shtetërore të naftës, plan që do të zbatohet në fund të vitit financiar.
Komente






