Pesë shqiptarë, nga të cilët 2 gra e tre fëmijë u riatdhesuan nga kampet e ferrit në Siri. Ata mbërritën në Rinas nga Turqia në orën 01:20 të 26 gushtit. Në pamje shihet edhe momenti kur zbresin nga avioni dhe prekin tokën shqiptare.

Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.

Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.

“Përgëzime të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit. Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë punën dhe koordinimin ndërinstitucional për vijimin e procesit të riatdhesimit të të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve”, shkruan Lamallari.


Lajmi kryesor:

Riatdhesohen nga kampet e ferrit në Siri 2 gra e 3 fëmijë! Mes tyre 79-vjeçarja që shkoi për nipërit pasi i biri iu vra në luftë, mbi një dekadë u kujdes për jetimët në ‘Al-Hol’ (VIDEO)