Brenda 24 orëve, policia në Tiranë zbuloi një vjedhje dhe ndaloi një tjetër në tentativë, duke vënë në pranga pesë persona dhe duke shpallur në kërkim tre të tjerë.
Rasti i parë u zbulua në Rrugën e Kavajës. Dy vëllezër, 26 dhe 27 vjeç, u ndaluan pasi në automjetin e tyre u gjetën sende të vjedhura nga një lokal. Sendet u sekuestruan si prova. Gjatë hetimeve u identifikuan edhe tre persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim dhe dyshohen si të përfshirë në vjedhje.
Në një tjetër rast, në zonën e Komisariatit Nr. 5, tre të rinj, 23, 19 dhe 19 vjeç, u kapën në flagrancë teksa po tentonin të vidhnin në një dyqan në pronësi të personit me iniciale F. L.
Hetimet po vazhdojnë për të parë nëse të dyshuarit kanë lidhje edhe me vjedhje të tjera në qytet. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë
"Tiranë/Finalizohen në 24 orë 2 operacione të tjera për zbardhjen e një vjedhjeje dhe të një tentative vjedhjeje, në territoret e Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 5 Lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 5 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Sekuestrohen sendet e vjedhura, si dhe 1 automjet në të cilin u gjetën sendet e vjedhura. Në vijim të punës hetimore, të kryer menjëherë pas kallëzimeve të administratorëve të subjekteve për vjedhje/tentativë vjedhjeje të pronës/pasurisë, shërbimet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan, brenda 24 orëve, 2 operacione të tjera për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Konkretisht: -Në kuadër të operacionit policor “Bashkëpunimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 vunë në pranga shtetasit K. B., 26 vjeç dhe S. B., 27 vjeç, vëllezër, pasi në automjetin e tyre u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende/materiale të ndryshme të vjedhura në një subjekt (lokal) në Rrugën e Kavajës. Në vijim të veprimeve u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve C. D., S. A. dhe B. K., pasi dyshohen si autorë të vjedhjes. -Në kuadër të operacionit policor “Flagranca”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit A. V., 23 vjeç, E. K., 19 vjeç dhe F. H., 19 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vjedhin në një subjekt (dyqan) në pronësi të shtetasit F. L. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"
Komente









