'Hirushja e Champions League', apo edhe 'realitet i futbollit ekipor', këto janë disa nga emërtimet që Bodo/Glimt ka merituar gjatë këtij sezoni. Skuadra norvegjeze i befasoi të gjithë mbrëmjen e 24 shkurtit 2026, pasi fitoi 1-2 kundër Interit në Itali dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2 u kualifikua për në fazën e 1/8-ave të Champions League duke eliminuar zikaltërit.

Në rrugëtimin e gjatë, por me hapa të sigurt, Bodo/Glimt është përballur edhe me FC Prishtinën, ekipin shqiptar të Kosovës më 5 gusht të vitit 2021. Për fazën kualifikuese të Conference League, Prishtina fitonte 2-1 kundër Bodo/Glimt në shtëpi me golat e John dhe Lode (autogol), duke përmbysur avantazhin e hershëm të miqve me Berg.

Megjithatë, një javë më vonë në Norvegji, Bodo/Glimt fitoi 2-0 në ndeshjen e kthimit dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-2 kaloi në fazën e radhës së këtij eventi.

Në më pak se pesë vite Bodo/Glimt ka bërë shumë hapa përpara, duke u bërë makthi i shumë klubeve të mëdha. Kujtojmë këtu fitoret kundër Romës së Mourinhos apo ato të këtij sezoni kundër Manchester Cityt të Guardiolës dhe Atletico Madridit të Diego Simeones.

'Qershia mbi tortë' kulmoi në fazën play-off të Champions League, aty ku Bodo/Glimt fitoi dy ndeshjet kundër Interit (3-1 dhe 1-2) për t'u kualifikuar në raundin e 1/8-ave, teksa do përballet me njërën mes Manchester Cityt dhe Sportingut të Lisbonës.