Pesha e kusarisë…

Pesha e kusarisë…
Debati lidhur me atë në se duhet të rritet tarifa e energjisë elektrike apo jo në fillim të vitit të ardhshëm po sorollatet, sa në fushën teorike, aq edhe në atë të populizmit politik. Në të parën, drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore, që mbulojnë të gjitha hallkat e sektorit, specialistët teknicienë, inxhierë apo financierë, në administratë, duket se janë të prirur të justifikojnë një rritje të çmimit, duke qenë se kostoja e energjisë elektrike është rritur. Kjo është e padiskutueshme dhe nuk ka pse të fshihet kush pas “fustanit” të mëmës-FMN apo tezes-BB, që e kanë kërkuar të parat një veprim të tillë.

Kostoja është rritur nga vjedhjet e përhershme në sistem, nga humbjet masive në linjat arkaike, të cilat teknologjia e re i ka harruar prej vitesh, nga fakti që një numër shumë i lartë qytetarësh e biznesesh bëjnë sikur harrojnë që energjia është një mall, që duhet paguar, etj, etj. Kostoja është rënduar shumë nga fakti që, me kërkesë të Berishës, Enti Rregullator i mëparshëm mbante të ngrirë çmimin e energjisë, duke rrezikuar kolapsin financiar të gjithë operatorëve, gjë që ishte absurde në kushtet e kusarisë dhe primitivizmit të mësipërm.

Në fushën e dytë, atë të politikës, opozita ka mprehur me kohë dhëmbët, duke e ditur mirë se ç’problematikë ka lënë pas vetes, e gatshme që të gjejë motivin e radhës për të “mbushur sokakët”, siç e ka për zemër të thotë ish-kryeministri në Facebook. Disa pjesëtarë të mazhorancës lëshojnë sinjale të ndrojtura që bien në kundërshtim me njera-tjetrën, herë për nevojën e rritjes, herë për atë të mbajtjes me çdo kusht në nivelet aktuale të tarifave. Në këtë fushë, qendrimet ndikohen nga marrja parasysh e peshës së konsumit të energjisë në buxhetet familjare, sidomos në ato zona që janë mësuar të mos paguajnë kurrë faturat e energjisë.

Por çdo gjë ka një fund. Ka një cak, përtej të cilit rrezikohet gjithë jeta normale e vendit, jo vetëm ekonomia. E gjithë jeta jonë tashmë është e lidhur pazgjidhshmërisht me konsumin e energjisë elektrike.
Si do ta zgjidhë qeveria aktuale këtë lëmsh? Në të cilin u mpleks edhe një gjigand energjetik evropian si CEZ Group, për të ikur nga sytë këmbët, i llahtarisur nga realiteti që s’e kishte llogaritur kurrë?

Mesazhi që dha dje në Kukës, një nga rajonet e vendit ku faturat janë paguar tradicionalisht sa 3-5 për qind të totalit, ministri Gjiknuri, se duhet të harrojmë gjobat e të kalojmë në burg për hajdutët e energjisë, nuk është hera e parë që jepet. Pra, fjala është për shtrëngimin e masave ndëshkuese në këtë drejtim, që nuk mungojnë, në fakt në Kodin Penal. Por, zbatimi i tyre me rigorozitet do të sillte burgosjen e banorëve të Bathores, Kënetës së Durrësit, e një pjese të mirë të zonave rurale të vendit, që mbajnë me krenari të gjitha dritat ndezur për 24 orë pa paguar asgjë dhe kanë kthyer shtëpitë e tyre rurale s xhami rrezëllitëse në periudhë Bajrami.

Rritja e energjisë duket se është hapi më i lehtë për t’u marrë nga ERE dhe ndërmarrjet e mëdha shtetërore të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, ndoshta edhe më i justifikuari teorikisht, teknikisht dhe financiarisht, por edhe më ofenduesi për pjesën e ndershme të popullsisë.

Shqiptarët që duartrokitën hedhjen “në tuç” të Lazaratit, të kthyer në një “tabu” për të gjitha qeveritë, nuk kanë se si të mos presin nga shteti që, në një operacion të dytë gjigand, të sjellin formalitetin në një sektor që na bën ende të ndihemi në një skutë të humbur të Afrikës Subsahariane. Ne nuk kemi pse të paguajmë faturën e vjedhjes që bëjnë të tjerët 24 orë në 24, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Përpara se të na kërkojë rritjen e çmimit në faturë, shteti duhet të konsumojë, për herë të parë në historinë e demokracisë, të gjitha rrugët që ka në dispozicion, që nga burgu, gjoba, prerja e linjës, shoqëruar këto me investime masive për të detyruar njerëzit të heqin dorë nga vjedhja, thjesht duke e bërë atë të pamundur.

Natyrisht, për të bërë një gjë të tillë për 600 mijë konsumatorë është shumë e kushtueshme dhe shumë e vështirë, por kjo mund të nisë nga projektet-pilot. Pra, me linja nëntokësore, që është vështirë të vidhen, me karta parapaguese, që stakojnë energjinë kur mbaron pagesa, me matës në disa nivele, etj. Në rast se do të përdoren me efikasitet 150 mln USD kredi nga Banka Botërore për sektorin shqiptar të energjisë, këto janë disa nga rrugët e mundshme. Por që kërkojnë një angazhim, i cili ende nuk duket në horizont, nga administrata përkatëse, që në fakt do të kërkonte një mega-operacion, para të cilit ai i Lazaratit do të dukej një lojë fëmijësh. Por, nga kjo varet e ardhmja e vendit. Varet edhe reputacioni i shtetit tek ndërkombëtarët.

Zotërinj pushtetarë, e dimë që kjo që u kërkojmë ua rëndon punën, por kjo është një nga detyrat tuaja, që ua besuam më 23 qershor: Na hiqni peshën e kusarisë nga shpatullat dhe xhepat tanë! Mjaft e mbajtëm - për turp të zotit- 25 vjet! Ktheni peshën e shtetit, të nëpërkëmbur gjithë këtë kohë dhe zgjidhni me të nyjen gordiane të çmimit dhe furnizimit pa kufizim të energjisë.       


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

     

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë