Peshkimi për ta nuk është vetëm punë. Pasioni mbi të gjitha i bën vëllezërit Artan dhe Alfred Alliu të jenë çdo ditë në Lagunën e Nartës.

Edhe pse e pranojnë se peshkimi nuk është më ai i dikurshme për shkak të ndryshimeve klimaterike, serish nuk heqin dorë.

 “Kushtet klimaterike kanë bërë që peshkimi të mos jetë më si disa vite më parë kur nzirrnim nga 50 kilogram. Tani disa nga kolegët tanë marrin 3 kilogram peshk”, tha Alfred Alliu, peshkatar.

Kanë mbetur ndër pak të pasionuarit, pasi shumë prej varkave tashmë janë mbyllur.

 “Nuk ka më si më parë. Ne ishim 30 deri në 40 varka, tani se di nëse janë 15 deri në 20 varka që dalin për peshkim”, tha Artan Alliu, peshkatar.

Artani dhe Alfredi tregojnë se veç pasionit sigurojnë dhe të ardhura, madje njeri nga vëllezërit la emigrimin dhe u kthye në vendlindje duke e bërë lagunën stacionin e tyre të përditshëm.

 “Kam jetuar në Greqi dhe u ktheva ktu duke u bashkuar më vëllain. Peshkun e shesim kryesisht tek lokalet që presin turist”, tha Artan Alli.

 “E nisa rreth 25 vite më parë fare rastësisht. Mu kthye në pasion dhe prej atëherë nuk i jamë ndar më peshkimit”, tha Alfred Alliu.

Gjahu i Lagunës së Nartës konsiderohet si më të shijshmit. Ka disa lloje peshqish që sigurisht janë të kërkuara kryesisht nga lokalet që presin turistë.

“Zakonisht ktu ka kocë, levrek dhe qefull si dhe ngjala kur ka sezonin e saj”, tha Alfred Alliu.

Peshkimi mbetet një nga pasionet më të mëdha për banorët e Vlorës. Laguna e Nartës është  ndër vendet që edhe tashme kur peshkimi nuk është si dikur, serish nuk braktiset kurrë nga peshkatarët besnik të saj.