ULQIN- Shqiptarët në qytetin e Ulqinit në Mal të Zi kanë organizuar një protestë kundër diskriminimit që u bëhet fëmijëve shqiptarë në shkollat e këtij shteti. Qytetarët e pranishëm në këtë protestë shprehen pakënaqësitë e tyre me gjendjen e përgjithshme në fushën e arsimit. Iniciatori i protestës, Gëzim Ibroçi, evidentoi faktin se shqiptarëve duhet t’i pranohen të drejtat e tyre themelore dhe nuk duhet të ndihen të diskriminuar.

“Duam barazi, të jemi popull autoktonë në Mal të Zi dhe duam të na respektohen të drejtat tona elementare të njohura në çdo konventë ndërkombëtare dhe çdo ligj njerëzor”, tha Gëzim Ibroçi.
 
Kjo protestë është mbështetur edhe nga intelektualet dhe politikanet shqiptarë në shtetin fqinj të Malit të Zi.

“Të gjithë janë tekste të përkthyer nga gjuha sllave në gjuhën shqipe pra janë tekste të cilët nuk janë përshtatur arsimit në shqip dhe si të tilla janë të papërdorshme për ne shqiptarët”, tha Nail Draga.

“Kërkesën e kemi shumë të qartë nuk ka arsim të mirëfilltë shqip me program dhe me gjëra të tjera nëse s’kemi një koordinim të mirëfilltë, nuk është se s’na ndihmon Shqipëria pra shteti amë i Shqipërisë dhe Kosova”, tha Mehmet Bardhi, kryetar i LDK në Mal të Zi.

Në protestë, përveç qytetarëve, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare, kryetari i Komunës së Ulqinit, dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në fund të protestës është nënshkruar edhe një peticion, i cili do t’u dërgohet institucioneve te shtetit malazez.
 
Redaksia Online
(shqiptarja.com)