TIRANE – Mos hetimi i dhunës që tifozët serbë ushtruan ndaj lojtarëve shqiptarë në fushën e blertë të Beogradit ka “revoltuar” shoqërinë shqiptare e cila deri më tani ka ndërmarrë nënshkrimin e dy peticioneve, një dërguar Presidentit të SHBA-ve Barack Obama dhe tjetri drejtuar UEFA-s.
 
Përmes këtyre peticioneve shqiptarët kërkojnë të ngrenë zërin dhe t’i bëjnë të qartë UEFA-s së Serbia duhet të hetohet për racizëm dhe dhunë kundër shqiptarë në stadiumin Partizani në Beograd dhe jo vetëm për “shqetësimet e krijuara në fushë me hedhjen e fishekzjarrëve.
 
Një ditë më parë qeveria e futbollit evropian, UEFA nisi zyrtarisht hetimin për incidentin e ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes së 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Të dyja federatat do t’i dërgojnë UEFA-s provat e tyre, por UEFA ka lënë jashtë objektit të hetimit dhunën që tifozët ushtruan ndaj lojtarëve shqitparë në mes të fushës në sy të autoriteteve më të larta serbe....dhe kjo vetëm se mbi stadium u valëvit flamuri kuq e zi me hartën e Shqipërisë së Madhe, përmes komandimit me dron.
 
Peticioni dërguar UEFA-s
UEFA investigo Serbinë për racizëm dhe dhunë, jo për “shqetësimin në fushë”, mban titullin e madh peticioni dërguar UEFA-s.
 
“Përmes këtij peticioni ne nënshkruesit i kërkojmë UEFA-s, të hetojë Serbinë për racizëm dhe dhunë ndaj shqiptarëve më 24 Tetor në Beograd gjatë ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë. ”

“Vrit, ther, që Shqiptari të mos ekzistojë” siç u këndua nga tifozët e Serbisë gjatë ndeshjes përbën shkelje të neneve 14 dhe 15 të Rregullave Disiplinore të UEFA-s dhe si të tilla, duhet të ndëshkohen”, shkruhet në peticionin dërguar UEFA-s.

Linku ku mund te beni nenshkrimin tuaj ne peticionin derguar UEFA-s
 
peticioni uefa

Peticioni dërguar Shtëpisë së Bardhë

“Shqiptarët u arrestuan në aeroportin e Beogradit, përfshirë ambasadorin shqiptar Ilir Boçka. Ata ishin gazetarë shqiptarë, biznesmenë dhe personalitete që udhëtonin për të parë ndeshjen Serbi-Shqipëri. Kjo është dhunë direkte dhe bie ndesh me nenet 2,7.9  të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, në bazë të diskriminimit  etnik dhe arrestimeve të dhunshme. Ky është një skandal diplomatik. Diskriminimi dhe dhuna u shfaq edhe ndaj futbollistëve shqitparë gjatë ndeshjes. Ne i kërkojmë të gjithë botës të bashkohet dhe të ngrihet për të mbrojtur “pakicën”, thuhet në peticionin dërguar presidentit të Shtëpisë së Bardhë  Barak Obama, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ban Ki-moon, presidentit të UEFA-s Michel Platini, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, si dhe Nihmës Humanitare dhe Mbrojtjes Civile.

Linku ku mund te beni nenshkrimin tuaj ne peticionin derguar Obames
 
 peticioni obama

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)