TIRANE- Zëvendëskryeministri i Kosovës Sllobodan Petrovic ndodhet në një vizitë pune në Tiranë në krye të një delegacioni përfaqësuesish parlamentare të pakicave të Kosovës. Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit të pakicave në jetën institucionale të Kosovës, mbi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe mbi bashkëpunimin rajonal.
 
“Ajo që ne bashkëbiseduam me Kryetarin e Parlamentit, z. Meta është se kemi evokuar edhe kujtimet tona të së kaluarës, posaçërisht kujtimet mbi kohën kur shtetasit e Republikës së Shqipërisë kanë treguar një përkrahje për qytetarët e Komunës së Graçanicës. Kjo përkrahje kishte ndodhur para 5 vitesh dhe shfrytëzoj rastin për t’ju falënderuar shumë sinqerisht. Për shkak se kjo ishte asaj kohe një ndihmë shume e madhe ekonomike, një ndihmë e madhe njerëzore dhe humane. Kishte një rëndësi shumë të veçantë për të dy popujt, për të dy bashkësitë të cilat jetojnë në Kosovë dhe në rajon. Roli i Republikës se Shqipërisë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, tha Petrovic.
 
Ndërsa kreu i Kuvendit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe angazhimin për forcimin e bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë.
 
“Unë besoj se jemi duke ecur në rrugën e duhur, e cila është rruga e aplikimit të standardeve evropiane për minoritetet dhe pakicat në çdo vend të rajonit tonë. Ky është fati i kombeve tona në këtë rajon. Çdo komb në një shtet është shumicë dhe në një shtet është pakicë. Kështu që e vetmja zgjidhje mbetet ajo që ne jemi të vendosur për aplikimin e standardeve evropiane në çdo vend të rajonit, në marrëdhëniet me minoritetin dhe pakicat. Në mënyrë që të gjithë të ndihen të lirë, të barabartë dhe të ndihem evropian”, u shpreh Meta.
 
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç shoqërohej nga deputetja Emilija Redzepi (përfaqësuese e komunitetit boshnjak), deputeti Hamze Bale (përfaqësues i komunitetit goran) dhe deputeti Fikrim Domka (përfaqësues i komunitetit turk).
 
PETROVIC ME PELESHIN: VENDET E RAJONIT MUND TË MËSOJNË NGA MËNYRA SI SHQIPËRIA I TRAJTON MINORITETET
Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Në fjalën e tij, Zv/kryeministri Petrovic shprehu mirënjohje për rolin e Shqipërisë dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë minoriteteve në Kosovë. Ai u shpreh se vendet e rajonit mund të mësojnë shumë nga mënyra sesi Shqipëria i trajton minoritetet dhe theksoi meritën e Shqipëria në arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit të cilën e quajti “një mundësi që nuk duhet humbur”.
 
Ndërsa, Zv/kryeministri Peleshi u shpreh se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë është hapur një kapitull i ri bashkëpunimi strategjik dhe bashkërendimi forcash në të mirën e të dy vendeve.
 
Ai përshëndeti progresin që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve dhe në promovimin e bashkëjetesës mes komuniteteve, veçanërisht atij serb dhe shqiptar, dhe theksoi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit si një moment tejet i rëndësishëm jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për stabilizimin e mbarë rajonit.
 
Peleshi vlerësoi rolin që ka luajtur zoti Petrovic dhe partia e tij në gjetjen e gjuhës së përbashkët mes komuniteteve shqiptare dhe serbe dhe në promovimin e kulturës së bashkëjetesës në Kosovë.
 
“Shqipëria është e angazhuar për një respektim dhe përfaqësim sa më të mirë të pakicave jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo tjetër në rajon, në përputhje me vlerat dhe standardet europiane. Ne besojmë se dhurata e madhe e një rajoni pa konflikte që solli viti 2014 duhet ruajtur me seriozitetin më të madh pasi vendet tona mund të zhvillohen e të përparojnë vetëm përmes bashkëpunimit dhe krijimit të sinergjisë. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit është veç fillimi dhe jo fundi i punës, prandaj ne jemi të vendosur t’ju mbështesim e të bëjmë gjithë çfarë kemi në dorë që kjo marrëveshje të ketë sukses dhe të shënojë një moment kthese për stabilitetin dhe progresin e rajonit”, tha zv/kryeministri Peleshi.

BUSHATI-PETROVICIT: MBËSHTESIM INTEGRIMIN EUROPIAN TË KOSOVËS
Procesi i integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë tema në fokus të bisedës gjatë takimit që ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Slobodan Petrovic. Në fjalën e tij, ministri Bushati evidentoi karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe rolin e veçantë të tyre, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit.
 
Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e përmbushjes, nga shteti i Kosovës, të detyrimeve për hapjen e negociatave të MSA-së me Bashkimin Evropian dhe për plotësimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
 
Po ashtu, Ministri Bushati, shprehu mbështetjen e fuqishme për përfshirjen e Kosovës në procesin e “Kartës së Adriatikut” dhe në atë të Bashkëpunimit të Europës Juglindore [SEECP]. Të dy bashkëbiseduesit çmuan partneritetin e ngushtë mes të dy vendeve në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian.
 
Ndërsa, zv/kryeministri Petroviç vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe, në veçanti, mbështetjen e Shqipërisë për proceset e zhvillimit të brendshëm demokratik të Kosovës dhe në drejtim të konsolidimit të institucioneve të shtetit ligjor në vend.
 
Të dy palët u pajtuan për të rritur më tej bashkëpunimin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, në kuadër të projekteve IPA/CBC.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)