TIRANE- Mazhoranca kërkon reformimin e AMA-s duke nisur që nga zëvendësimi i kryetares Endira Bushati. Ky qëndrim u bë publik në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Medias, kur znj.Bushati, ishte thirrur për të raportuar për punën 1-vjeçare të institucionit që përfaqëson.
 
Nënkryetari Alfred Peza e ka cilësuar si të paligjshëm qëndrimin e saj në krye të AMA-s, në kushtet kur mandati i saj ka përfunduar. Ai shkon dhe më tej duke kërkuar hetim parlamentar për 13 mbledhjet e zhvilluara nga AMA përgjatë vitit 2013, në mungesë kuorumi.

“Aktualisht drejtimi i mbledhjes së AMA-s me një kryetar në detyrë dhe të palegjitimuar dhe 3 anëtar prej vitesh vakant, thellon më tej ngërçin dhe pamundësinë e marrjes së vendimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë profesionale dhe të paanshme dhe në emër të mazhorancës unë i kërkoj këtij komisioni të hapim procedurat për 4 vende vakante dhe për zëvendësimin e Kryetares. Në 13 raste AMA është mbledhur në vitin e kaluar në paligjshmëri, në shkelje të plotë të ligjit duke patur anëtar që nuk kanë mandat. Të 13 këto mbledhje duhen rishikuar se çfarë vendimesh janë”, tha Peza.

“Mendoj se është jo vetëm e pasjellshme, që është pjesa e parë por dhe e pandershme të kritikohet rregullatori kur shkaktar jeni vet zoti Peza dhe mazhoranca që ju vetë përfaqësoni por lidhur me memon e paraqitur, besoj që është një nga palaçollëqet më të rënda që ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë këto 20 vjet, dhe nuk e di nëse është iniciativë e Ilir Metës apo porosi e Edi Ramës, dhe nëse ai ka bërë presion vet apo me të tjerë, por të detyrosh nëpunësit e shkretë të Kuvendit nën presionin e shkarkimit nga puna dhe me ndonjë gjë tjetër më të rëndë që ta quajnë të bardhën të zezë. Është një nga gjërat më të rënda dhe të turpshme dhe kjo memo është absolutisht e pavlershme dhe unë do ta ndjek me kryetarin e Kryetarin e Kuvendit në konferencë të kryetarëve këtë çështje”, tha Pollo.

Endira Bushati e ka cilësuar të qëllimshme këtë nismë nga mazhoranca, madje duke nënkuptuar me këtë dhe një paramendim për shkarkim kur vendet vakante sipas saj janë lënë qëllimisht të tilla.

“Vazhdimisht nën sulm institucioni u paralizua, nuk u miratua struktura. E dërguam me shkresë zyrtarisht edhe për legjislaturën e re por s'pati asnjë përgjigje. Kërkuam ndaj legjislaturës së re plotësimin e 3 vakancave por nuk pati asnjë përgjigje dhe që nga shtatori vihet rrotull e rrotull me amendime me vendime me memo të ndryshme të dala nga e njëjta dorë të cilat thonë, jo zotëri në nuk plotësojmë vendet vakante se ne duam të heqim këtë zonjën e cila më 2 korrik filloi të procedonte për licencimin e operatorëve në treg. Nëse këtu flitet për mandate atëherë përgjigja ime ishte e qartë. Kjo kryetare e AMA-së në 2 korrik të vitit 2013-tës, hapi procedurën për dhënien fund të informalitetit të tregut mediatik audioviziv. Ky vendim është pezulluar me vendim gjykate dhe znj. Milena Harito mban në këmbë, nuk e di si, një grup pune i cili nuk bën asnjë gjë, thjesht zvarrit dhe zvarrit fillimin e këtij procesi”, tha Endira Bushati.
 
Luçiano Boçi i PD dhe Alfred Peza i PS, u ngarkuan nga komisioni për përpilimin e rezolutës mbi punën e AMA.

Redaksia Online
(e.s/a.ç/shqiptarja.com)