Pas gjashtë muajsh konsultime me bashkitë e vendit dhe shoqëritë e transportit ndërqytetës, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, që drejtohej nga LSI, hartoi rrjetin e linjave ndërqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë. Gjithashtu, ajo nxorri edhe Udhëzimin “Pёr kriteret, rregullat dhe dokumentacioni për lëshimin e licensave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve me autobus brenda vendit”. Udhëzimi i ri përcakton që gjithsej në gjithë vendin do të operojnë 326 linja ndërqytetëse, nga 588 që ishin më parë.
Rregullat e reja kanë hyrë nëfuqi nga 1 janari i vitit në vazhdim, por duket se lejet e lëshuara nuk kanë qenë të gjitha konform kërkesave të një ligji, që u deklarua se përbënte reform në transportin e udhëtarëve. Në ditët e fundit kur ministria e Transporteve drejtohej nga Sokol Dervishaj u lëshuan leje për 90 linja të reja autobusesh ndërqytetas. Një grup pune i ngritur posaçërisht tani për të analizuar udhëzimin e nxjerrë në korrik të këtij viti, ka dalë në përfundimin se ka mbivendosje licensash. “Udhëzimi që miraton 90 linja të reja, që krijon problematikën të shfuqizohet dhe në bazë të analizës së bërë nga grupi i punës, është menduar që të bëhet një miratim i linjave që janë të vlefshme”, deklaroi dje sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Gentian Keri.
Ligji i ri për transportin e ndërqytetas të udhëtarëve me autobus vendos kritere të forta për marrjen e licensave. Një nga kërkesat e rëndësishme të ligjit është që bashkitë të përcaktojnë vendodhjen e terminaleve të autobusëve, po ashtu shoqëritë duhet të rinovojnë 20 për qind të flotës së mjeteve gjatë vitit të parë licensës, ndërkohë që mjetet duhet të plotësojnë disa kritere teknike.
Ndryshimet ligjore parashikojnë tani vetëm udhëtimin me autobus, duke hequr furgonët 8+1 nga qarkullimi, të cilat kishin rënduar trafikun, por edhe duke përdorur automjete të vjetra, që bëheshin shkak për aksidente të shpeshta. Kur u ndërmor nisma ligjore, ishin në qarkullim 1.087 autobusë. Ligji krijoi mundësi që operatorët të futeshin në shoqëri bashkiake si aksionerë mbi bazën e automjeteve që kishin të gjithë drejtuesit e autobusëve duhet të pajiseshin me çertifikatën e aftësisë profesionale.
dy.b/shqiptarja.com











