Phillips: Shqipëria, Kosova duhet ta marrin seriozisht rrezikun e ndikimit rus dhe turk

Phillips: Shqipëria, Kosova duhet ta marrin seriozisht rrezikun e ndikimit rus dhe turk

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips thotë se rreziku që paraqet ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në Ballkan është real. udhëheqësit e vendeve të rajonit duhet ta marrin seriozisht. Prof. Phillips, drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, thotë se udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës duhet ta marrin seriozisht këtë kërcënim dhe duket të mbajnë qëndrime të qarta për aleancat e tyre. Kolegia, Keida Kostreci bisedoi me zotin Phillips.

Zëri i Amerikës: Profesor Phillips, po flitet shpesh për rrezikun e ndikimit e Rusisë dhe Turqisë në vende të ndryshme të Ballkanit. Sipas jush, sa serioz është ky kërcënim?

David Phillips: Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të mirë se Shqipëria as miq më të mirë se shqiptarët. Kërcënimet ndaj sovranitetit të Shqipërisë dhe Kosovës janë në proporcion të drejtpërdrejtë me afërsinë mes Shteteve të Bashkuara dhe komuniteteve shqiptare. Kërcënimi është real, përfaqëson një rrezik të vërtetë. Udhëheqësit politikë në botën shqiptare duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ruhen nga kërcënimet ndaj sovranitetit që vjen nga Rusia dhe Turqia.

Zëri i Amerikës: Ky është një problem jo vetëm për vendet me shumicë shqiptare, kam parasysh ndërhyrjet në Mal të Zi dhe Maqedoni dhe faktin që një deputete ruse tha këtë javë në Bosnje se hyrja e vendeve ballkanike në NATO është kërcënim për sigurinë në Evropë. Si do ta komentonit këtë lloj ambjenti të krijuar?

David Phillips: Rusia e kundërshton me forcë anëtarësimin e vendeve të këtij rajoni në Ballkan. Kjo është arsyeja që ata organizuan një grusht shteti në Mal të Zi, që mbështetën partinë ultranacionaliste VMRO në Maqedoni. Rusia ka një program dhe ky është që të minojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe ta përdorë këtë si pikë sulmi jo vetëm kundër institucioneve euro-atlantike por edhe vetë Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për çështje sigurie, në drejtimin ekonomik dhe diplomatik. Për të frenuar rrezikun rus dhe turk, duhet që Shtetet e Bashkuara të angazhohen më shumë dhe që Bashkimi Evropian të integrojë më shumë në institucionet e veta Kosovën dhe Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër si do ta vlerësonit përgjigjen e këtyre vendeve, veçanërisht Shqipërisë dhe Kosovës, dhe udhëheqësve të tyre ndaj këtyre rreziqeve?

David Phillips: Duket sikur mes udhëheqësve politikë të këtyre vendeve nuk duan ta pranojnë këtë realitet. Të hënën në Universitetit Columbia ne patëm një vizitë nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kur foli për Rusinë dhe Turqinë, ai nuk e pranoi këtë rrezik dhe u përpoq të minimizonte rrezikun ndaj Shqipërisë. Është e ditur që Edi Rama ka lidhje të ngushta me Tayyp Erdoganin. Kjo nuk është në interesin e Shqipërisë. Ai nuk duhet të kërcejë nëpër dasma në Ankara, ai duhet të përqendrohet tek nevojat e qytetarëve shqiptarë. Në fund të fundit Turqia do që t’i përdorë vendet në Ballkanin Perëndimor, për të ri-imponuar programin e tij neo-otoman. Nuk ka interes në mirëqenien e popujve të Ballkanit Perëndimor. Turqisë thjesht i leverdis t’i përdorë ata ekonomikisht, të flasë për një bashkëpunim të madh kulturor, por në fakt është një program që Turqia e ndjek për interesin e vet kombëtar.

Zëri i Amerikës: A po sugjeroni që këta udhëheqës, duhet ta shpjegojnë qartësisht se çfarë marrëdhënie kanë me Turqinë në këtë rast dhe se çfarë strategjie kanë për t’u bërë ballë këtyre përpjekjeve për ndërhyrje dhe për të ushtruar ndikim?

David Phillips: Kryeministri Rama nuk mund të shkojë në Berlin dhe t’i thotë Kancelares Merkel se nëse Shqipëria nuk integrohet më tej në Bashkimin Evropian, do të ketë një rritje të islamizmit. Ndërkohë ai pranon ndërtimin e një xhamie 30 milionë dollarëshe në Tiranë, imazhet e Skënderbeut mbulohen nga TIKA, Agjencia Kulturore Turke kur organizon aktivitete në Sheshin Skanderbeg. Pra Shqipëria duhet të zgjedhë: A do të jetë me Perëndimin, do të jetë me Shtetet e Bashkuara, apo do të përpiqet të luajë me të dyja palët? Të ketë një marrëdhënie me Turqinë, që nuk është në interesin e saj, dhe njëkohësisht duke i ofruar baza Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe NATO-s, që e çon përpara bashkëpunimin e Shqipërisë për sigurinë. Në fund të fundit Shqipërisë do t’i duhet të zgjedhë a është pro-perëndimore apo pro-islamiste, dhe të jetë pranë Turqisë dhe të ketë një marrëdhënie me Tayyp Erdoganin, e vendos Shqipërinë në kampin islamist.

Zëri i Amerikës: Por nga ana tjetër Turqia është anëtare e NATO-s...

David Phillips: Nëse NATO-ja do të ngrihej sot, për shkak të faktit që Turqia është anti-demokratike, anti-amerikane dhe islamiste, nuk do të kishte ashnjë shans të miratohej në NATO. Po, Turqia është anëtare e NATO-s në letër, por nga ana tjetër blen raketa S400 nga Rusia, saboton aktivisht interesat e NATO-s dhe në Siri, Turqia po punon kundër interesave të Shteteve të Bashkuara madje edhe kundër interesave të popullit sirian. Prandaj ka disa dyshime serioze lidhur me faktin se sa i plotëson sot kriteret Turqia si anëtare e NATO-s. Fakti që është anëtare e alencës, nuk do të thotë që e ka vendin atje.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara për të frenuar këto përpjekje për ndikim anti-perëndimor?

David Phillips: Shtetet e Bashkuara duhet t’ia bëjnë shumë të qartë Erdoganit që ne presim që Turqia të funksionojë në mënyrë demokratike, i ka afruar zgjedhjet më 24 qershor dhe kjo është jodemokratike pasi nuk u jep partive të opozitës kohë për t’u përgatitur. Nëse Turqia do që të ketë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron t’i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë që kemi pasur më parë, atëherë është koha për të mbajtur qëndrim. Shtetet e Bashkuara duhet t’ia komunikojnë Turqisë se çfarë presim ne dhe nëse Turqia nuk është gati të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara, nëse nuk është gati të tërhiqet nga ndërhyrja në Ballkanin Perëndimor, atëherë duhet të paguajë një çmim.

Zëri i Amerikës: Një nga arsyet që në Shqipëri mund të thonë që Rusia nuk ka ndikim është se nuk ekziston me shqiptarët, ajo lidhje historike për shembull që ekziston me Serbinë. Nga ky këndvështrim, rreziku mund të vijë indirekt pikërisht nga ato lidhje, apo jo?

David Phillips: Rusia përbën kërcënim përmes mbështetjes së Serbisë dhe provokimeve të vazhdueshme që po bëhen kundër Kosovës. Treni që u dërgua në Mitrovicë, ngritja e bazës së zbulimit në Nish, fakti që Beogradi është tani qendra për propagandën ruse që është anti-amerikane, dhe anti-shqiptare, të gjitha këto nënkuptojnë që Rusia dhe Shqipëria janë në kënde të kundërta. Do të ishte gabim të mendohej që përpejkjet keqdashëse të Rusisë kanë në shënjestër vetëm Kosovën. Çdo provokim që mund të çojë në një spirale dhune vdekjeprurëse, pa diskutim që do të kishte pasoja në Shqipëri, prandaj në këtë rast si Kosova, edhe Shqipëria janë të rrezikuara përballë një politike ruse që është provokuese dhe që përpiqet të minojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe të dobësojë miqësinë që kanë Shtetet e Bashkuara me miqtë e vet në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian ndezi dritën jeshile për negociatat me Shqipërinë dhe po mban një qëndrim më mikpritës për vendet e Ballkanit. A mendoni se gjendja e brendshme me sfidat e iliberalizmit në BE dhe këto rreziqe për të cilat po flasim kanë ndikuar në këtë qëndrim?

David Phillips: Është lajm shumë i mirë që Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për kandidaturën e Shqipërisë. Çfarë e motivon që t’i marrë këto hapa tani? BE-ja i sheh veprimet e Rusisë në rajon dhe do që ta hapë perspektivën e anëtarësimit të vendeve të tjera si një masë mbrojtëse për të parandaluar ndikimim e Rusisë. Gjithashtu vepron duke pasur parasysh fuqizimin e aktorëve iliberalë në Evropë, përfshirë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Prandaj futja e Shqipërisë në tendën evropiane është një masë parandaluese. Kjo e nxit Shqipërinë që të ecë përpara me demokracinë dhe tregjet e lira. Fakti që Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur një marrëveshje për kufirin dhe që banorët e Kosovës mund të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në vendet e BE-së, është po ashtu një zhvillim shumë pozitiv. Por këto zhvillime duhet të kenë një rezultat të qartë. Nuk bëhet fjalë për procesin, duhet të jetë theksi tek rezultatet dhe rezultati duhet të jetë një integrim më i thellë për Kosovën në institucionet euro-atlantike, përtej liberalizimit të vizave dhe për Shqipërinë që të futet në një proces të përshpejtuar me negociatat. Që kjo të bëhet, udhëheqësit politikë në Shqipëri duhet të tregojnë seriozitet për forcimin e demokracisë, të luftojnë korrupsionin, të thellojnë bashkëpunimin me homologët në BE. Kam besim që udhëheqësit e Shqipërisë mund ta bëjnë një gjë të tillë sepse është qartësisht në interesin komnbëtar të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë dhe duhet të vazhdojnë të mbeten të angazhuar dhe integrimi do të dojë inkurajim të vazhdueshëm nga SHBA dhe bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Brukselit për të pasur përparim të vërtetë. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lolita: 29/04/2018 02:03

    Vetem Olta Xhacka duket se kupton ne kete qeverri leshi. Intuita saj (megjithese eshte dhe shtetase amerikane) beri te levize sic duket politiken amerikane. Propozimi saj per sekretarin Matis e ben ate nje shtetare, pa dallim te krahut qe perfaqeson. Nje bravo per Olten qe megjithese duket e vetme ne kete beteje do te triumfoje sepse ka mbeshtetjen e gjithe shqiptareve dhe aleateve te perhershem te shqiptareve, amerikanet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim