Pianisjta Lazo: Muzika shqiptare
është identiteti im

Pianisjta Lazo: Muzika shqiptare <br />është identiteti im
Dhurata Lazo e di që ka bërë zgjedhjen më të mirë në jetë. I ëshëtë kushtuar pianos.Prej atëherë ka interpretuar në dhjetëra koncerte dhome, solo,apo duo, shpesh së bashku me bashkëshortin e saj e së fundmi edhe në trio me njërin prej djemve të familjes Bejleri. Por virtuozja e Shopenit, pianistja shqiptare me teknikë të përsosur, fituese e disa cmmimeve për muzikë dhome, ka një mision më shumë. Mes përpjekjeve të saj për t’u ndricuar më së miri në skenat europiane dhe amerikane, Dhurata Lazo, këmbëngul në të gjitha format dhe mënyrat që të bëjë të njohur muzikën shqiptare. Ambicja e saj për këtë qëllim e con deri tek Mbretëresha e Anglisë dhe Papa. Kështu kanë kaluar plot 22 vite larg skenave shqiptare, protagoniste të cilave u bë që në moshë fare të njomë.
“Sapo u diplomova ne Akademinë e Arteve në vitin 1990 u shpërngulëm në Itali bashkë me familjen e bashkëshortit tim për arsye se vjehrra ime ishte me origjinë italiane, Kam jetuar 19 vjet në Itali dhe 3 vitet e fundit në Gjermani” – tregon Dhurata Lazo me pak fjalë itinerarin e kaq viteve jashtë Shqipërisë.
“Fillimi, si emigrante nuk ka qenë i lehtë, biles shumë i vështirë. Megjithatë mbas 3 muajve të jetuari aty u ftova në një koncert krishtilindjesh në Teatrin e qytetit të Saciles (PN) dhe u ringjallën menjëherë shpresat dhe ëndërrat e mia. Isha shumë e re dhe sapo kisha dalë nga bankat e shkollës me një aktivitet koncertal në mëmëdhe....por nuk jam dorëzuar kurrë përpara çdo vështirësie....edhe pse mundësitë ekonomike ishin shumë të pamjaftueshme në fillim”.

Jeta artistike dhe familjare në vend të huaj si ka funksionuar për ju?
Mund të them që si studente dhe mbas studimeve, koncertet për mua kanë qenë shumë të rëndësishme në çdo skenë, Në skenën shqiptare performoja përpara profesorëve tanë e artistëve të ndryshëm dhe kam patur një përgjegjësi shumë të madhe nga gjykimi i tyre që ishte shumë i rëndësishëm për mua. Në skenat e huaja është diçka tjetër nuk e njeh publikun edhe pse me moshë përgjegjësia është shumë e madhe ...por funksionojnë shumë ndryshe kritikat nëpër gazeta (jo thjesht nga gazetarë që japin lajme por nga muzikologë të përgatitur dhe mund të pëlqehesh ose e kundërta) Në përgjithësi kam vlerësuar publikun si kritikun më të mirë, Edhe  për faktin se muzika instrumentale sipas repertorit është shumë e vështirë dhe kërkon dhe publik të përzgjedhur .Kam përjetuar me emocione të forta koncertin e dhjetorit në vitin 1990 sepse luaja për herë të parë në një teatër dhe publik që nuk e njihnin shumë Shqipërinë.

Cift në jetë dhe çift në skenë… ku janë përparësitë dhe ku vështirësitë për ju?

Po, jemi një familje muzikantësh bashkë edhe me djalin e vogël që studion klarinetë. Shpesh interpretojmë së bashku nëpër koncerte vepra nga kompozitorë të muzikës klasike edhe pse bashkëshorti im angazhohet shumë me muzikën e zhanrit Big -Band dhe Jazz. Gjatë performancave tona nëpër koncerte jemi në një botë tjetër sepse zhytemi në brendësinë e muzikës për të komumikuar sa më qartë me publikun, për të gjetur gjuhën e përbashkët të shpirtit, kurse në jetën e përditshme jemi 2 shokë të mirë. Kemi ngelur kështu si në vitet e shkollës.....si në çdo familje problemet janë të ndryshme; rritja e fëmijëve kërkon shumë punë e përgjegjësi, por besoj nuk ka vështirësi që nuk kapërcehet...

Keni interpretuar edhe muzikë shqiptare në skenat e huaja? Jemi kureshtar të dimë reagimin e publikut të huaj?
Kur u nisa për në mërgim brenda ne valixhen time mora dhe partiturat e veprave te kompozitorëve tanë të shquar. Jam munduar t’i promovoj aq shume në koncerte të miat si në Itali, Gjermani, Francë, Luksemburg etj. Eshtë diçka që rrjedh nëpër venat e mia, si ushqim shpirtëror, më lidh shumë me të kaluarën dhe nuk ndihem kurrë vetëm …..
Muzika jonë plot sharm dhe shumë e veçantë edhe pse është e panjohur në botë, është pritur me shumë interes e kënaqësi nga publiku i huaj. Disa muzikologë italianë më kanë kërkuar dhe partiturat dhe detaje të veçanta për kompozitorët tanë. Një grimcë tjetër e bukur ka qenë kur po regjistorja gjithë repertorin për CD-në time për shtëpinë diskografike Phoenix, zoti Giovanni Bettin u mahnit nga miniaturat e Tonin Harapit dhe më propozoi direkt të regjistroja përsëri një CD vetëm me muzikë shqiptare. Me dëshirën e madhe e dërgova CD-në time tek Papa e Romës dhe Mbretëresha e Anglisë. Jam emocionuar shumë për 2 letrat e mrekullueshme që arritën me postë në një kohë shumë të shkurtër dhe për vlerësimin e muzikës tonë shumë të bukur.
Kam qenë e ftuar në një konferencë të muzikantëve amerikanë ku tema që mbajta ishte një nga kompozitorët shqiptarë dhe zgjodha prof. Cesk Zadeja, ku fola mbi veprat e tij dhe i performova.. Vërtet ka qenë një moment shumë emocionues, kur këta muzikantë shumë të mirë e vlerësonin me dashuri pasion dhe respekt muzikën shqiptare

Përurimi i modelit të ri të pianos nga Shtëpia fabrikuese Fazioli duhet të ketë qenë një lajm i bukur për ju
Po, u ndjeva e nderuar të isha e ftuar nga inxhinieri dhe pianisti zoti Paolo Fazioli. Ishte një fat për mua të njihja në detaje pianon e tij shumë të suksesshme, në shtëpinë ku prodhohen dhe po aty gjendet një holl koncertesh të mrekullueshme që vizitohet me koncerte nga pianiste nga e gjithë bota.
Modeli i ri F308 me 4 pedale ishte një shpikje e shekullit dhe unë pata fatin ta prekja e të mësoja më shumë mbi efektet e ndryshme që krijonin pedalet në kompozitorët sidomos tek muzika impresioniste e Ravel o Debussy. Zoti Fazioli gjithmonë më ka shprehur kënaqësinë e tij për të vizituar atdheun tonë që e joshi shumë nëpërmjet muzikës tonë .

Cili eshte kompozitori juaj me i preferuar dhe ndjesia juaj kur interpretoni?
Jam një e pasionuar e çmendur e Chopenit edhe pse në repertorin tim pianistik performoj edhe kompozitorë të tjerë. Veprat e Chopenit janë shumë individuale ne llojin e vet, kanë një forcë magjike ku novacioni i tij kolorik më tërheq shumë. Muzika e tij e qetë, e ëmbël me një delikatesë e butësi të vazhdueshme me tonet e tij kadifta , një ëndërr e mrekullueshme. Më tërheq shumë liria e mendimit poetik dhe krijimtaria e tij kalon kufijtë e çdo lloj force krijuese. Muzika e tij bën instrumentin të flasë me gjuhën e pafundësisë e cila më shtyn më shumë në kërkim të bukurisë së tingujve së pakrahasueshëm romantikë dhe të pasur në ndjenja dhe emocione . Chopin është pianisti i ndjenjave, personifikimi më i mirë i një poezie: Aristorakti i shpirtit.

Keni punuar me shumë kompozitorë të njohur shqiptarë. Cfarë kujtoni prej tyre kur intepretoni ndonjë pjesë apo dëgjoni të flitet për ta?
Po, kam punuar me shumë emra të njohur të muzikës tonë shqiptare, mësueset e mia të pianos si Nikoleta Nako dhe profesoresha Artistja e Merituar, Anita Tartari të cilat kanë dhënë një kontribut të madh për të cilën jam sot pavarësisht nga shkollat që kam bërë jashtë atdheut Kam punuar  me dirigjentët Roland Cene, Fiqiri Kraja, Artan Licaj, Ermir Kranjta dhe të madhin e paharrueshëm Ferdinand Deda. Isha 17 vjeç kur luajta koncertin e Beethovenit nr 3 për piano e orkestër drejtuar nga Ferdi i madh me orkestrën e RTSH-së në 1985. Kam punuar me profesorë të muzikës së dhomës si me prof . Gëzim Laro, Gjovalin Lazri, Muharrem Denisi, Gjergj Antoniu, Monda Koco, Roland Xhoxhi, Didi Tartari, Gjovalin Shestani dhe sidomos me pedagogun tim të shtrenjtë të muzikës së dhomës, Robert Radoja i cili bëri të pamundurën së bashku me shokun tonë të shkolles Kasem Bako ardhjen tonë mbas 18 vjetëve në mëmëdhe. Një kujtim i veçantë për mua ka qene puna me profesorin e madh, muziokologun, teoricienin, Artistin e Popullit, Çesk Zadeja. Kam patur një raport shumë profesional e shpirtëror. I kam gjithë shënimet e tij të vyera dhe me vlerë të ciklit te fundit për piano që më dedikoi në vitin 1989...I interpretoj me shumë kënaqësi dhe me dashuri të madhe. Jam rritur me muzikën e tyre dhe aty gjej veten time, ndjehem krenare dhe është identiteti im ....
(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete