Pianistja Hermina Gjoni: Kadareja
dhe unë në takim me Gagarinin

Pianistja Hermina Gjoni: Kadareja <br />dhe unë në takim me Gagarinin
Gjatë karrierës së saj i janë besuar koncertet që janë dhënë për nder të shumë personaliteteve botërorë, ndër të cilët ishin Juri Gagarin (njeriu i parë që fluturoi në univers), Nikita Hrushovi, Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Princi i Kamboxhias, etj. Hermina Gjoni është një ndër pianistet që i përket brezit të parë të shkollës shqiptare. Ajo dha dje në orën 12.00 një koncert në sallën e Teatrit të Operës. Me këtë rast asaj iu promovua edhe albumi-libër "Jetë në Tinguj". Ka qenë një mënyrë rikthimi pas 20 vjetëve të mërgimit të saj drejt SHBA-së. Hermira Gjoni është cilësuar për nivelet e saj të larta si pianiste dhe koncert-maestër gjatë shfaqjeve të dhëna në Shqipëri dhe jashtë vendit. Bashkëshortja e kompozitorit Simon Gjoni, i cili ndërroi jetë në vitin 1991, tha për "Shqiptarja.com" se vijimi me sukses i rrugës së saj artiske është edhe një nderim në heshtje për bashkëshortin e saj, kompozitorin e njohur. Pianistja Gjoni kthehet në vendlindje pas emigrimit të gjatë në Amerikë, duke sjellë në një album një mesazh për të gjithë krijimtarinë, që ndoshta atëherë nuk mundi t`ua përcillte artdashësve shqiptarë. Muzikantja Gjoni është anëtare e Fondacionit të Artistëve "The Bohemians" në Nju York. Pas demokracisë aktiviteti i saj artistik do të ringjallej dhe do të arrinte shkallën më të lartë të vlerësimit në SHBA, ku ajo prej 15 vitesh jep mësime pianoje dhe ruan nivelin e saj performues nëpër koncerte. Mira Gjoni, siç e njohin në Tiranë, tashmë merr pjesë në koncerte mbarëkombëtare me pianistë të nivelit të lartë në gjithë botën. Në intervistën për "Shqiptarja.com" ajo thotë se do të donte ta shijonte në rini këtë bum suksesesh, por në "ato kohë të errëta të luftës klasore" i ra fati i keq që në vitin 1975 aktiviteti i saj në skenë të ndërpritej. U ndalua të ekzekutonte në koncerte, të realizonte regjistrime, etj. Arsyet pse ndodhi kjo dhe historitë e rralla me koncertet e saj pianistike nëpër botë; sidomos udhëtimi i saj në rini drejt Helsinkit me dy nga njerëzit e shquar të kulturës, shkrimtarin Ismail Kadare dhe këngëtarin Mentor Xhemali i rrëfen e emocionuar në intervistën për "Shqiptarja.com"

Kur keni shkuar në Amerikë?
-Në Amerikë unë kam shkuar në vitin 1996, kam ikur nga Shqipëria që në vitin 1993.

Çfarë kujtoni sot nga njohja me bashkëshortin tuaj, kompozitorin e njohur Simon Gjoni?
-Ne punonim bashkë që kur ai erdhi nga Çekosllovakia ku bëri studimet si dirigjent dhe unë isha këtu pianiste. Ne punonim bashkë me operat "Don Paskuale", "Berberi i Seviljes" dhe u njohëm më tepër. Afria vinte nga komunikimi që kishim për muzikën dhe shumë aspekte të tjera të jetës na bënë që të lidhemi bashkë. Ai ka qenë udhërrëfyesi kryesor dhe personi që ndikoi në formimin tim qoftë në jetë, qoftë në profesion.

Shkaqet e persekutimit gjatë periudhës së komunizmit në familjet tuaj cilat qenë?
-Nuk ka qenë thjesht persekutim. Ka qenë e ndërthurur ajo punë. Xhelozia, ligësia e njerëzve mediokër ka qenë shkaku fillestar. Erdhi periudha e forcimit të luftës së klasave dhe e shfrytëzuan këtë moment për të përmendur herë gjyshin tim, herë atë, herë këtë...

Cili ishte gjyshi juaj?
-Rauf Fico.

Cili ka qenë funksioni i tij, që pasoi me dëbimin tuja nga skena?
-Rauf Fico ka qenë Ministër i Jashtëm, Ministër i Brendshëm. Ka qenë ambasador në shumë shtete të botës: në Jugosllavi në Greqi në Turqi, në Berlin.

Për këtë u dënua?
-Jo ai nuk u dënua. Ai kishte vdekur që para çlirimit. Por familja vuajti pasojat pse ai ka qenë në qeverinë e Zogut. Por unë kam mësuar dhe di që ai ka qenë një atdhetar i madh dhe nëse shikon në dokumente vërteton se ka pak njerëz që e duan si ai Shqipërinë. Ai vinte nga një familje patriote dhe me kulturë dhe babai im ka pasur një nderim të veçantë për atë. Nuk është se i gjetën një epitet ose një gjë të keqe që kishte bërë. Nuk kishin ç'të gjenin tek ai, sepse ai gjithë jetën e shkriu për Shqipërinë. Por emri i tij u përdor si pretekst për të goditur personat që njerëzit mediokër i vinin në shënjestër.

Në "Album" thuhet se keni kënduar për nder të Juri Gagarinit, astronautit të parë që u ngjit në Hënë. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
-Po. Unë kam qenë pianiste e ftuar për koncertin në Helsinki në vitin 1962 dhe kam qenë me një delegacion nga Shqipëria ku ishte Zoti Ismail Kadare dhe Mentor Xhemali. Foli Gagarini dhe Kadareja na e përkthente nga Rusishtja neve dhe gjithë delegacionit shqiptar që ishte atje. Nga programi ynë që do të jepnim për koncertin u lejuam vetëm unë dhe Mentor Xhemali. Teatri i Helsinkit ishte madhështor. Takimi me Gagarinin, njeriun e parë që fluturoi në Hënë do të mbetet i paharruar për mua. Gagarini përshëndeti rininë dhe studentët dhe kur i dhuruan lule tha: "Në fluturimet e ardhshme kozmike ndoshta anija do të ulet në atdheun e njërës prej këtyre vajzave të mrekullueshme që janë po aq të bukura sa lulet që po më dhuroni". Këto fjalë na i përktheu nga rusishtja shkrimtari Ismail Kadare, pjesëtar i delegacionit shqiptar. Nuk harroj as çastin kur Mentor Xhemali këndoi dy ariet dhe salla u elektrizua. I gjithë koncerti bëhej për nder të Juri Gagarinit dhe Mentor Xhemalit i bënë tre herë biz në atë koncert. Kaq shumë u pëlqye nga të gjithë artdashësit.

Si u ndjetë në çastin e takimit me Juri Gagarinin?
-Eh, edhe ne fluturonim në Hënë nga emocionet. Na dukej gjëja me e bukur që na kishte ndodhur. E kujtoj Mentor Xhemalin me një zë si violonçel. Ai u vlerësua edhe me medalje ari në konkursin që bëmë dhe unë isha pianiste në atë kohë. Ishim të deleguar, që edhe duhet të jepnim një siguri për përfaqësimin sa më mirë të Shqipërinë në nder të Juri Gagarinit. Atje shkuan shumë artistë shqiptarë, por ne që ishim pjesë e shfaqjes kryesore patëm fat ta kishim pranë. E kemi takuar dhe kemi bërë edhe fotografi me Gagarinin. Ishte një udhëtim i bukur, edhe me Ismail Kadarenë që e lexoja dhe e vlerësoja shumë. Në këtë ngjarje të shënuar botërore unë isha me dy përfaqësues dinjitozë të kulturës shqiptare.

Cilat nga koncerte e tjera të tuat të kanë lënë një përshtypje të tillë?
-Unë bëj shumë koncerte dhe marr shumë kënaqësi dhe emocione, por ka disa që të ngelen në mendje. Një nga këto është koncerti që kam dhënë për nder të nobelistit shqiptar Ferid Muradi në Nju Jork me një violiniste shumë të mirë shqiptare Xhilberta Xhelaj.

Biseduat me Ferid Muradin?
Sigurisht, dolëm edhe në fotografi. Ishte një njeri i thjeshtë, shumë modest dhe më ka dhënë shumë emocione takimi me të, por edhe krenari për origjinën e tij shqiptare.

(dhh/im/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)