TIRANE- Një person i dënuar më parë për vjedhje, është vënë në qëndër të veprimeve hetimore që Prokuroria e Krimeve të Rënda, po kryen lidhur me vendosjen e tritolit poshtë makinës së prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. Personi në fjalë momentalisht punon në një pikë lavazhi në qytetin e Vlorës, dhe se aktualisht konsiderohet nga prokuroria si personi kryesor i dyshuar për vendosjen e 200 gramë tritol C4, poshtë makinës së prefektit të Vlorës.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat pak ditë më parë kanë urdhëruar shoqërimin e këtij personi në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, ku përgjatë disa orë është marrë në pyetje, si dhe njëherësh i janë marrë dhe shenjat e gishtërinjve. Ky veprim është kryer, me qëllim krahasimin e gjurmëve të gishtave me disa gjurmë papilare, që janë konstatuar në xhamin e derës së majtë, poshtë së cilës ishte vendosur dhe sasia e lëndës shpërthyese si dhe në aparatin celular.

Larja e makinës
Megjithëse nuk ekzistojnë prova bindëse që të faktojnë autorësinë e tij në vendosjen e tritolit në makinën e prefektit Dervishi, burime pranë prokurorisë thanë se dyshimet ndaj këtëj personi janë krijuar për shkak se ai është parë disa ditë me rradhë në zonën, ku Dervishi parkonte automjetin. Për më tepër personi i dyshuar, disa herë ka kryer lavazhin (Larjen) e automjetit, dhe nisur nga kjo situatë janë krijuar dyshime të forta se ai mund të jetë paguar nga segmente të caktuara, për vendosjen e së tritolit në makinën e Devishit.

Gjatë marrjes në pyetje, personi i dyshuar s’ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke shtuar se ka kryer larjen e makinës njësoj si në rastet e automjeteve të tjera. Për më tepër, i dyshuari është shprehur se nuk ka pasur informacion se e kujt zyrtari ishte automjeti. Pavarësisht kësaj, prokuroria vazhdon ta mbajë në mbikqyrje këtë person, ndërkohë që gjatë kontrollit të banesës së tij nuk është konstatuar asnjë lëndë apo mjet i dyshimtë që mund të lidhej me ngjarjen në fjalë.

Pronari i kartës
Hetimet për gjetjen e autorëve që vendosën 200 gramë tritol poshtë makinës së prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, kanë zbuluar një javë më parë një 50-vjeçar, si personin që ka pasur numrin që ishte vendosur në telefonin “Samsung”. Ky person konfirmohet se banon në Vlorë dhe se gjatë ditës së dielë, është shoqëruar në polici ku dhe ka dhënë deklarime, lidhur me lëvizjet që ka kryer gjatë javës së kaluar dhe kohës së përdorimit të numrit celular.

Në rrëfimin e tij 50-vjeçari ka treguar para hetuesve të çështjes, se kohë më parë ka pasur në përdorimin numrin që është gjetur në aparatin celular, i cili ishte lidhur me 2 dotonatorë dhe një sasi prej 200 gramë tritol.50-vjeçari, ka treguar më tej se numri i tij është mbyllur nga kompania telefonike për shkak të mos futjes së lekëve brenda afatit kohor.

Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)