Koha historike e shfaqjes së pikturës ishte një kohë sa e rënduar, shpesh e zvarritur aq dhe produktive për artistët e brezit më të ri, i cili ziente në vorbullën e vetes, për të shpërthyer e derdhur ide dhe imazhe të reja. Natyrisht, që artisti Edi Rama me këtë pikturë, e cila për fat gjendet në koleksionin e GKA-së, i përket këtij brezi.
Kjo pikturë, siç rëndom ndodhte, aso kohe, pra në fund të viteve ‘90, u prit nëndiskutimet e dy grupeve, të cilët kundërshtonin dhe mohonin njëri - tjetrin. Gjë që rëndom ndodh edhe sot. Por piktura u dallua si shumë e suksesshme. Ajo ishte/është mjaft e qartë, pasi ka një strukturë figurative kompozicionale të qëndrueshme dhe të organizuar në një plan vertikal, ku historia apo subjekti i temës tregohet në mënyrë horizontale.
Subjekti rrëfehet në krye të veprës, ku figurat janë organizuar si një grup horizontal, vështrimi i të cilëve e dërgon vështrimin e publikut vertikal në zemër të subjektit, aty ky figura e heroit të vrarë qëndron pezull horizontal. Kompozimi brenda sistemit estetik ruan gjetjen si pronësi intelektuale e piktorit, e cila ka një rëndësi madhore, jo vetëm për atmosferën imagjinare të individit, por ajo, jep ose jo, çastin sugjestiv dhe komunikues të veprës me publikun. Në këtë vepër sugjestimi është komunikues.
Imazhi i veprës orienton se ka lindur si rezultat i njohurive të piktorit mbi disa kultura figurative botërore, që gërshetohen dhe treten së bashku dhe kanë dhënë atë imazh, i cili aso kohe revoltoi mendjet e vjetra duke e quajtur një vepër me referencë të plotë kah kubizmi. Piktura u diskutua nën zë si një vepër moderne, që i referohej bukur e mirë përvojave të një kubizmi analitik, i njohur në Francën e dy dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX.
Edhe sot, me logjikën e një njohëse, kur qëndroj para kësaj pikture mendoj se nëse i ka interesuar piktorit më shumë Picasso apo Braque? Do kisha dëshirë që t’i këtë interesuar më shumë Braque. Kjo është e vërtetë, por a ka kjo ndonjë rëndësi për ta diskutuar pëlqimin mbi veprën? Aspak. Kam mendimin se ashtu si fovizmi, ekpresivizmi dhe kubizmi e tjerë izma të atyre mjeshtërve të mëdhenj të shek. XIX dhe XX, që i dhanë rëndësi më shumë ndjesive të brendshme individuale sesa pasqyrimit të drejtpërdrejtë të natyrës dhe ndikuan fuqishëm mbi artistët shqiptarë, ishin shenjat që dhanë sinjalet e para të ndryshimeve të mëdha që po ndodhnin me pikturën shqiptare, e cila e kishte marrë një nxitje ecurie që nga vitet ‘70, ku sakrifikuan jetën e lirë Edison Gjergo, Maks Velo dhe Ali Oseku.
Piktura e Ramës ishte besnike e temës historike, me fryme patriotike dhe vlerësuese për heroin dhe luftëtarët e kohës së Pavarësisë Kombëtare. Por ajo nuk ishte besnike ndaj metodës së realizmit socialist. Ajo pasqyron interesin e ri të piktorit për gjeometrinë
dhe perspektivën, të cilat shfaqen dhe lëvrohen në mënyrë të njëkohshme.
Ai ka zhvilluar një studim të thellë të efekteve të dritës mbi çdo ndarje kubike, ka vlerësuar ngjyrën drejt një fovizmi monokromatik në të gjitha pjesët ndarëse dhe përbërëse të pikturës. Mjetet teknike janë referim ndaj efekteve që sugjerojnë strukturat e thyera të objektit që, është një shpellë malore, e cila shërben si një skenë arkitetktonike, ku të gjitha imazhet tredimensionale janë copëtuar dhe shtrirë në një dydimensional gjeometrik përgjithësues.
Shkrimi u publikua sot(05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)