Ngjarja e ndodhur më 16 gusht në ambientet e magazinës së çerdhes nr.14 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë dyshohet të ketë qenë një akt i qëllimshëm.
Siç mëson Report Tv, kjo është pista kryesore mbi të cilat po hetohet nga Komisariati nr.1 dhe Prokuroria e Tiranës. Policia e kryeqytetit thotë se ky akt mund të ketë si shkak konfliktet e pronësisë.
Dyshimet për një ndërhyrje të qëllimshme nga persona ende të paidentifikuar që kanë pasur si motiv mosmarrëveshjet lidhur me pronësinë e godinës, u ngritën prej faktit se bombola e gazit në momentin e shpërthimit të gazit nuk ka qënë në përdorim.
Grupi i hetimit po analizon me detaje kamerat e sigurisë të marra nga bizneset e zonës për të evidentuar ndonjë lëvizje në magazinë në kohën kur ndodhi shpërthimi. Po ahstu bëhet me dije se po hetohen disa të dyshuar se mund të jenë implikuar në shpërthimin e qëllimshëm duke dëmtuar tubat e gazit.