Tiranë- Gjatë orëve të para të ditës së sotme, në magazinën e çerdhes nr. 14 në Tiranë, në lagjen “Ali Demi” ka shpërthyer gazi. "Shqiptarja.com" dhe "Report Tv" mësojnë se gazi ka rrjedhur nga një bombël gatimi dhe se në ambientet e magazinës ka pasur edhe flakë.
Bombola që kishte rrjedhje gazi
Burimet bëjnë me dije se nga shpërthimi i gazit është dëmtuar edhe një pjesë e murit të çerdhes. Fatmirësisht nuk ka të dhëna për të dëmtuar.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për rastin. Sakaq, mësohet se mëngjesin e sotëm çerdhja ka vijuar normalisht punën.
Sakaq, eksperti i zjarrfikësve në vendngjarje Arjan Ahmetaj, është shprehur për ‘Report Tv’ se grupi hetimor ka nisur procedurat për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit.
Flakët kanë qënë në fazat fillestare dhe janë shuar në kohë. Çerdhja vazhdon normalisht aktivitetin. Ne po bashkëpunojmë me policinë për të arritur në konkluzionet e rënies së zjarrit. Nga shpërthimi është dëmtuar vetëm një pjesë e ndërtesës, pra ka ndodhur një shkëputje e murit.
Arjan Ahmetaj, ekspert i zjarrfikësve
Ka një disinformim për një ngjarje që ka ndodhur ngjitur me godinën e çerdhes, dhe jo në godinën e çerdhes. Aktiviteti vazhdon normal dhe konform parametrave. Sa i përket sigurisë së elemetëve të shërbimit dhe në rastin konkret bombolave të gazit, ato janë me certifikatë.Është një ngjarje që aludohet nga keqbërës në komunitet.
Zhaneta Beqiri, drejtoresha e çerdheve për Tiranën
Për ‘Report Tv’ ka folur edhe drejtori i zjarrfikësve për Tiranën, Shkëlqim Goxhaj, i cili është shprehur se për shkak të orës së rrjedhjes së gazit, dyshohet se mund të jetë e qëllimshme.
Faktikisht për vetë kohën kur ka ndodhur na lënë të kuptohet se mund të jetë edhe e qëllimshme. Mendojmë se shkaku ka qënë i jashtëm pasi askush nuk ka qënë duke përdorur kuzhinën.
Shkëlqim Goxhaj, drejtori i zjarrfikësve për Tiranën
Më datë 16.08.2018, rreth orës 04:57, në rrugën “Aldi Demi”, në një dhomë e cila shërbente si magazinë për një çerdhe ka patur rënie zjarri.
Zjarri është fikur dhe ka patur vetëm dëme të vogla materiale.
Paraprakisht zjarri dyshohet të ketë rënë si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombël gatimi.