'Piva një vizë kokainë dhe s'ndala dot më', rrëfimi tronditës i dy përdorues të drogës për Report Tv! Nëna e dy fëmijëve: Droga më ndau nga familja

TIRANË-Elsa, nënë e dy fëmijëve ka nëntë vite e varur nga kokaina dhe heroina. Së fundi ka nisur rehabilitimin, por gjendja e saj duket të jetë e vështirë. 

“Unë u flisja të tjerëve më përpara, mos e pini, mos e bëni dhe qëllon një moment ankthi, stresi dhe depresioni dhe më tha një shoqe pije një vizë. Unë i thashë jo nuk dua, ajo më tha pije se nuk të bën gjë, kokainë. Më mbushi mendjen dhe u piva. Do ti, që kur e piva pastaj më pëlqeu dhe që nga ajo ditë nuk iu ndava dot më” – thotë Elsa.

Sigurimi i parave për të blerë dozën ditore e ktheu Elsën në një gënjeshtare patologjike.  

“U lidhja me të dashur, se kam qenë edhe e bukur. I thoja që më duhen lekë për fëmijët, nuk i tregoja se i doja për drogë se pastaj trembej dhe ikte. I thoja që i doja për qira, për fëmijë, gjeja lloj-lloj justifikimesh për të marrë lekë, gënjeja që më duheshin lekë për ilaçe për fëmijët, gjeja gënjeshtra nga më të ndryshmet” – shton 30-vjeçarja. 

Elsa rrëfen momentet e para të pendesës dhe vështirësive shëndetësore, shkaktuar nga përdorimi i heroinës.

“Problemet me shëndetin më kanë vazhduar kur nisa heroinën. M'u infektua këmba, operacione, ngelja pa lekë dhe e ndjeja veten të pafuqishme dhe në këtë gjendje që isha e stresuar ku do gjeja lekë për të gjetur dozën. Fillova pastaj dhe u pendova, por kur u pendova ishte tepër vonë” – shprehet nëna e dy fëmijëve.

Dy të vegjlit e saj janë në shtëpinë e fëmijës. Elsa thotë se kjo e ka dëmtuar shumë dhe e ka shtyrë më shumë drejt drogës.

“Fëmijët i kam në shtëpi të fëmijës, 12 i madhi, 9 e vogla, i takoj një herë në dy javë. Tani edhe kjo më bënë dhe më shtyn që të pijë drogë, nga stresi i atyre, më merr shumë malli. Sikur të mundja do ta ktheja kohën pas, nuk do të pija kurrë në jetën time. Nuk do ta mendoja, jo më ta pija, por është shumë vonë tani” – shton Elsa, e penduar.

Për të siguruar para për blerjen e drogës, 30-vjeçarja është detyruar të shes edhe trupin.

“Më ka ndodhur edhe të prostituoj të siguroj para. I kam bërë të gjitha, po e piva atë i bën të gjitha. Jo se do ta bësh, por të detyron ajo. Mënyra për të marrë para të bën të bëhesh edhe kriminale” – thotë Elsa.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Elsa është braktisur nga familja. 

“Familja nuk më ndihmon dhe as nuk duan t’ia dinë më për mua, sidomos kur kanë marrë vesh edhe për fëmijët që i kam dërguar në jetimore. Nuk bëhet fjalë të më ndihmojnë” – përfundon Elsa.

Shumë të rinj shqiptarë janë të varur nga lëndët narkotike. Për fat të keq vetëm një numër i vogël i tyre arrijnë të ndryshojnë realitetin dhe fillojnë rikuperimin. Andi është një tjetër narkoman. Sot 37 vjeç, ka rreth 20 vite nën ndikimin e lëndëve narkotike. Fillimin e ka imagjinuar si një zgjidhje për problemet.

“E kam filluar herët, që adoleshent. Normalisht, shoqëria ka ndikimin kryesor. Pastaj kur je aty brenda edhe një problem i vogël të duket shumë i madh dhe duket sikur gjen zgjidhje dhe ngushëllim, ndihmë, por faktikisht nuk është ashtu” – thotë Andi.

Por, a është e vështirë të gjesh lëndë narkotike në Tiranë?

“Jo, jo, nuk është shumë e vështirë” – thotë prerë Andi.

Elsa dhe Andi janë vetëm dy prej qindra të rinjve dhe adoleshentëve të varur nga droga në të gjithë vendin. Vetëm pak prej tyre marrin metadon, medikament që i ndihmon ata të shërohen. Një pjesë e tyre, edhe pse e marrin, nuk heqin kurrë dorë nga përdorimi i lëndëve të forta.

Lexoni intervistën e plotë me Elsën dhe Andin, dy përdorues të rregullt të dograve të forta

Përdorimi i lëndëve narkotike të forta nga të rinjtë shqiptarë është kthyer në një problem shqetësues, por nuk është vetëm në ditët tona. Daton që prej viteve 90, që kur normalisht ndërroi sistemi, që të rinjtë shqiptarë u mësuan dhe filluan të përdorin lëndët narkotike. Pavarësisht se kanë kaluar tashmë më shumë se 30 vite që nga ajo periudhë, të rinjtë shqiptarë akoma vijojnë të jenë një target grup i cili përdor jo pak lëndët narkotike. Një pjesë e tyre e kanë fituar betejën dhe janë tashmë të rikuperuar.  Ne sot do të flasim me dy prej tyre, Andin dhe Elsën. Normalisht që nuk janë emrat e tyre origjinalë, pasi do të respektojmë të gjithë vendimin e tyre për të mos u publikuar dhe për të mos u shfaqur me imazhin e tyre. Por ajo çfarë na intereson është e gjithë historia e jetës së tyre që nga fillimi i përdorimit të lëndëve narkotike, problemet që u janë shfaqur më pas, ato ekonomike dhe sociale, por pse jo edhe ato shëndetësore. T’i ndjekim.

Andi, faleminderit në radhë të parë që pranove të flasim bashkë për eksperiencën tënde me lëndët narkotike. Dua të të pyes fillimisht, si je?
Mirë, faleminderit! 
Kur ke filluar që të marrësh për herë të parë lëndë narkotike dhe çfarë?
Kam filluar që herët, 17 vjeç, me marihuanë e të tjera. Pastaj normalisht kam bërë edhe shkëputje 2-3 vite, 4-5 vite, pastaj kam rënë prapë, kam filluar prapë d.m.th., pastaj kam filluar. Tani po rikuperohem me ilaçe. Pothuajse jam mirë. 
Si kanë qenë fillimet? Ke pasur një dëshirë tënden për t’i filluar apo ka ndikuar miqësia, shoqëria? 
Normalisht, kur kemi filluar që adoleshentë, normalisht miqësia etj., pastaj kur je brenda në atë pellg edhe një problem i vogël të duket i madh dhe të duket sikur gjen ndihmë aty, por faktikisht nuk është ashtu. 
Si i mban mend ato fillimet e para? Ka qenë një mënyrë për të kalur ndoshta to problemet që ju përmendët apo kishit dëshirë të provonit eksperienca të tjera?
Po tani ato fillimet e para normalisht ishin të bukura sepse gjendje e bukur, d.m.th. që s’e kishim provuar ndonjëherë, pastaj normalisht filluam me kalimin e kohës që fillojnë të mbarojnë ndihmat, fillon të mbarojnë lekët etj., kur hasen vështirësitë e para pastaj fillon të bëhet e bezdisshme çdo gjë. Normalisht kur të bëhet e bezdisshme nuk të jep më atë qejfin që të ka dhënë në fillim dhe detyrimisht do të kërkosh që të shkëputesh. Por pastaj e kupton që nuk je si gjithë të tjerët.
Kur je përballur në fillim me mbarimin e parave dhe me mbarimin e ndihmave, si ia bëje, si ishte zgjidhja, ku i gjeje paratë për të marrë sërish?
Ku i gjeja? Po ja, gjithmonë i bënim parapritë gjërave duke punuar, duke bërë, që të mos mbeteshim ndonjëherë, e kupton? 
Po ndikimi i familjes, si ka qenë? 
Me familjen, se unë kam jetuar edhe jashtë, kam qenë gjithmonë i shkëputur, nuk ia lëshoja këto probleme, që t’ia shfaqja gjithmonë.
Gjithsesi, ata kanë qenë në dijeni që ishe përdorues.
Po.
A ka pasur raste që keni mbetur pa para, pa ekonomi, pa të ardhura dhe për të siguruar dozat e nevojshme, keni vjedhur apo keni përdorur alternativa të tjera?
Jo, unë s’kam prekur ndonjëherë ligjin, por domethënë që kanë ndodhur dhe pikërisht për këtë jemi futur edhe në rikuperim, që të paktën, sidoqë të vijë puna të marrim ilaçet dhe të mos bëjmë gjëra të vazhdueshme.
Ju më thatë që 17 vjeç e keni filluar konsumin e lëndëve narkotike.
17 vjeç e kam filluar me marihuanën, si të gjithë të rinjtë pothuajse sepse të gjithë në atë moshë e fillojnë.
Po cilat droga të tjera keni provuar dhe keni konsumuar vazhdimisht?
Po ja, vetëm kjo që kam ngecur, heroina.
Ju vazhdoni të jeni përdorues?
Jo, kam pothuajse një vit e ca që e kam lënë.
Si ndiheni në këtë periudhë që keni filluar rikuperimin? Nëse mund ta themi në gjuhën e popullit, ju shkon më mendja për të marrë dhe për të konsumuar heroinë?
D.m.th. edhe në qoftë se nuk të shkon, e ke parasysh, gjithmonë jemi në varësi të një ilaçi, por të paktën e dimë që kemi duke pirë një gjë të kontrolluar nga shteti.
Ju vini gjithmonë këtu, çdo ditë për të marrë dozën e nevojshme të ilaçit që ju duhet?
Jo, një herë në javë ose dy herë në javë.
Është e mjaftueshme që kjo periudhë dyjavore të mos ketë ndikim që ju të shkoni dhe të kërkoni edhe njëherë tjetër ndoshta lëndë narkotike?
Është goxha sepse ne e pimë përditë pavarësisht se e marrim edhe për të gjithë javën.
Andi, më thuaj pak, si e gjenit, ku e gjenit, është e vështirë të gjesh lëndë narkotike në Tiranë?
Jo, nuk është shumë e vështirë. 
Sa shpenzonit në ditë për një dozë që ju nevojitej?
Varet, varet se si mësohesh ti, se sa lekë prish ti përditë p.sh. Në qoftë se ti fillon prish përditë 20 000 lekë apo 30 000 lekë, normal që të duhen prapë po aq mbase edhe 10 000 lekë më shumë. Në qoftë se ti mësohesh vetëm me 10 000 lekë mund të rrish vetëm aty dhe mund të prishësh edhe një më shumë. Por në qoftë se ti mësohesh të prishësh edhe 100 000 lekë, edhe 100 000 lekë të ikin. 
Keni pasur miq të afërt, të cilët kanë qenë njëkohësisht përdorues të lëndëve narkotike? Si e përshkruajnë edhe ata të gjithë situatën që keni kaluar?
E njëjtë, e njëjtë është. Gjithkund e njëjtë është sepse të njëjtat efekte, të njëjtat gjëra ka gjithmonë. 
Andi, a ke një mesazh për të gjithë ata që janë dhe vazhdojnë të jenë përdorues të lëndëve narkotike, të heroinës që ju keni konsumuar dhe doni që t’u bëni apel që të vijnë të paktën, të kërkojnë ndihmë të specializuar?
Po, një mesazh d.m.th. që në fillim duket gjë që e merr lehtë, por në fakt ka një varësi që është për të gjithë jetën dhe duhet shumë forcë e madhe, shumë vullnet që të heqësh dorë, pavarësisht se njeriu është aq i fortë saqë mund t’ia dalë për çdo gjë. Por gjithsesi, kur ti kalon një periudhë shumë të gjatë, është mirë që të kërkosh ndihmë se nuk është keq, d.m.th. ndihma për të ndhmuar është.
Përveç varësisë që krijon, çfarë problemesh të tjera shëndetësore ju ka dhënë që ndoshta i vuani edhe sot?
Probleme shëndetësore, po ja me oreksin, me gjumin.
Vazhdoni t’i keni këto si simptoma apo jeni pak më i qetë tani?
Jo, normalisht kur merr ilaçe pastaj je më i qetë se për këtë merret ilaçi d.m.th. që ti të rikuperohesh.
Po nga ana fizike, ka pasur ndonjë problematikë?
Normalisht që fizikisht nuk je si gjithë të tjerët. Mund të dobësohesh pak më shumë por edhe nuk ke. Normalisht që kur merr ilaçe, nuk është se ke ndonjë gjë.
Andi, të falënderoj shumë.
Faleminderit juve!
Elsa, faleminderit në fakt që pranove të flasim për eksperiencën tuaj. Unë doja ta filloja që prej fillimit. Çfarë të shtyu që të marrësh lëndë narkotike?
Më shtyu edhe stresi. Unë i thosha të tjerëve më përpara që të mos pinin, por qëllon një moment ankthi dhe stresi e depresioni dhe më tha një shoqe: “Pije një vizë”. Unë i thashë: “Jo, nuk dua”. Ajo më tha: “Pije se s’të bën gjë”. 
Për kokainën po flasim?
Po, për kokainën. Dhe kështu ma mbushi mendjen dhe e piva. Kur e piva pastaj më pëlqeu dhe që prej asaj dite nuk iu ndava dot më. Më qetësoi, më hoqi ankthet, të krijonte një botë ndryshe nga realiteti ku jetoja. 
Të jepte një ndjesi pozitive, sikur zgjidhje edhe problemet që kishe, apo jo?
Po, që t’i harrosh të gjitha problemet, sikur je në ajër fare, nuk mendon për për asgjë, vetëm e ke mendjen ku të gjesh lekë dhe të bësh prapë ashtu.
Si kanë qenë fillimet e para kur ti ke pasur edhe mungesë të parave për të siguruar dozën që të është nevojitur për një ditë? Çfarë bëje, ku i gjeje, si i gjeje?
Lidhesha me të dashur, se kam qenë edhe e bukur, dhe u thosha që më duheshin lekë për fëmijët etj.
Nuk u tregoje se i doje për drogë?
Jo, jo. Nuk i tregoje se ashtu trembej dhe ikte pastaj. Drogaxhie, thjesht ajo ideja edhe tremben. Unë i thosha që më duheshin për qiratë, për fëmijët, për ilaçet e fëmijëve, gjeja lloj-lloj justifikimesh nga më të ndryshmet. Gënjeja që të merrja lekët, që të siguroja lekët e dozës që më duhej. 
Elsa, kur kanë filluar ato problemet e para shëndetësore që ti ke hasur dhe që ke kuptuar se je në një rrugë shumë të vështirë nga ku duhet të dalësh?
Më kanë vazhduar kur fillova heroinën. M’u infektua këmba, operacione, kur mbetesha pa lekë e ndieja veten të pafuqishme. Mendoja se në atë gjendje ku isha, ku do t’i gjeja lekët. Fillova pastaj të pendohesha, por kur u pendova ishte tepër vonë, nuk e lija dot më. 
Ju jeni edhe nënë apo jo?
Po.
Keni dy fëmijë.
Po, dy fëmijë.
Ku janë ata për momentin?
Në Shtëpinë e Fëmijës. 
Nuk keni mundur që t’i rrisni vetë?
Jo, më përmendin drogën, në çdo gjë.
Sa vjeç janë?
12 vjeçe vajza e madhe, 9 vjeçe e vogla.
I takon?
Po, çdo dy javë. 
Është e vështirë që e ke të pamundur për t’i marrë dhe për t’i rritur vetë?
Po, shumë. Tani edhe kjo po më shtyn që të pi drogë, stresi i tyre. Më merr shumë malli. Sikur të mundja do ta ktheja kohën pas, s’do ta pija. Në jetën time s’do ta mendoja këtë gjë, jo ta pija. Është shumë vonë tani.
Sa kohë ka që ti ke ardhur këtu për të kërkuar ndihmë të specializuar për t’u rehabilituar?
Kam 4 vite. Nuk pi më.
Që prej 4 vitesh nuk ke pirë më?
Jo, jo, rri vetëm me Metadon, nuk merrem më. Por droga tani më ka dëmtuar, më ka prishur trupin me shenja etj. Pendohesh kot tani, nuk ia vlen më, apo jo?
Po përdorimi i Metadonit të ka ndihmuar që të dalësh nga varësia që ke pasur?
Po, më ka ndihmuar shumë, se po të mos kisha Metadonin do të vidhja e do të bëja gjëra të tjera, se ku do t’i gjeja lekët për të siguruar dozat.
Të ka ndodhur ndonjëherë që të vjedhësh për të siguruar dozën e drogës?
Jo, nuk di, edhe po të dua nuk di. Më ka shkuar mendja, por nuk di, nuk e bëj dot. Por mendja më ka shkuar edhe për të vjedhur.
Elsa, pavarësisht se je shkëputur që prej 4 vitesh, pa diskutim që ndoshta ke miq që janë dhe vazhdojnë të jenë përdorues të drogës, a është e lehtë që të gjesh drogë në Tiranë?
Jo, edhe shumë e lehtë nuk është se kanë frikën e policisë. Duhet të kesh të njohur, që t’u dalë frika, sidomos femrat sepse mendojnë se i shtyn policia dhe detyrohem të marr një tjetër të njohur që të ndërhyjë për t’u dalë frika sepse në të shumtën e rasteve policia ka përdorur femra për të zbuluar se kush shet. 
Aktualisht, ku po jeton dhe me kë po jeton?
Me qira, te rruga “Jordan Misja”. 
Jeni e papunë, punoni, si ia dilni duke pasur edhe këtë problem shqetësues jo të vogël?
Kam një shok që më ndihmon për momentin, por jam edhe në punë si pastruese dhe ashtu jetojmë. Ndonjëherë në dy muaj, kur kam ndonjë lek, mund të marr se tani s’hiqet fare droga, mund të marr ndonjëherë.
Sa për t’u qetësuar?
Po, sa për të hequr ato fiksimet.
Po për të hequr dorë përfundimisht, nuk bëhet fjalë?
Po, bëhet me spital, por doktorët, shkoj për t’u shtruar, që të mos pi as Metadon se edhe Metadoni të ndihmon nga njëra anë, por të shkatërron nga ana tjetër. Kam shkuar shumë herë te spitali i drogës, por nuk më shtrojnë se duan lekë. Kam shkuar edhe me shoqen time, me të dashurin e saj dhe nuk na shtronte doktori, shumë i poshtër. Janë shumë të këqij, nuk të shtrojnë në spital po nuk pate 200 000 lekë e më shumë. Kam kërkuar disa herë ndihmë edhe kur kam qenë me fëmijët. Nuk më ndihmojnë pa lekë. 
Meqë i përmende edhe njëherë tjetër fëmijët, sa kohë kanë në Shtëpinë e Fëmijës, që kur kanë lindur apo vite më vonë?
Jo, kanë 3 vite. Spiunuan që isha përdoruese droge dhe nga frika, më kupton? Unë nuk jam ashtu lloj nëne që t’u bëj keq fëmijëve të mi. Kam bërë çfarë kam bërë, por unë u blija bukë fëmijëve, nuk blija për vete çfarë më duhej pa siguruar lekë edhe për ata. Nuk i kam keqtrajtuar në jetën time. I doja me shpirt. 
Do që t’i marrësh sërish?
Po. Dua t’i kthehem edhe njëherë jetës. Këtu s’ka kush të më ndihmojë.
Elsa, si ka qenë marrëdhënia me familjen gjatë periudhës që ti ke filluar drogën?
Ti e di mentalitetin shqiptar.
Nuk komunikoni fare me ata?
Jo, jo. Nuk më ndihmojnë, as duan t’ia dinë më fare për mua, sidomos që kur kanë marrë vesh për fëmijët, as që bëhet fjalë më që të më ndihmojnë.
Ata janë në Tiranë?
Janë në një qytet tjetër, por e kanë marrë vesh që jam përdoruese dhe nuk më pranojnë më në shtëpi. Sidomos për ne femrat është më e vështirë. 
Vazhdon të ketë stigmatizim? Ka njerëz që në njëfarë forme ju flasin keq, ju shajnë, ju kuptojnë që jeni përdorues droge dhe ndikon për keq?
Po.
Çfarë ju thonë? Si ju thonë?
Direkt drogaxhi. Na ofendojnë direkt.
Ndihesh keq?
Posi jo. Po. Dhe pastaj i kthehem edhe unë, i them që jam çfarë jam, jam për veten time, nuk po të dëmtoj ty dhe nuk ka të drejtë as nëna ime të më shajë. Kanë të drejtë kur unë u bëj padrejtësi ose ndonjë gjë tjetër. Ka pasur raste që ka pirë edhe fëmija e vet dhe më kanë sharë mua dhe i kam thënë që të shohë fëmijën e vet njëherë pastaj të më shajë mua. E shumë gjëra të tjera. Nga të gjitha anët i bie shumë për keq. 
Por duke ardhur në këtë qendër ku ju merrni atë ilaçin e përditshëm, a është pak më e mirë situata sesa më përpara?
Po, shumë, shumë më mirë, se atëherë doje apo s’doje, do të rrije edhe pa bukë. Që të gjeje lekët do të bëje nga mënyrat më të ndryshme, do të lypje, mashtroje, prostituoje, çdo gjë, shumë mënyra nga më të këqijat për të siguruar lekët sepse isha në gjendje për të vdekur, jam shtrirë edhe në rrugë duke bërtitur sepse të kapin ca dhembje shumë të forta kur pi heroinë.
Elsa, më the që ke qenë e njohur edhe me disa djem që të kanë ndihmuar për të marrë para, por që nuk e kanë ditur.
Jo, nuk e kanë ditur.
Por, a të ka ndodhur ndonjëherë që të prostituosh për t’i siguruar ato para?
Edhe më ka ndodhur ndonjëherë. Nëse pi atë, do t’i bësh të gjitha se të detyron ajo, jo se do ti. Për të siguruar paratë që të pish atë, detyrohesh që të bëhesh edhe kriminele.
E ka thyer Elsa ndonjëherë ligjin gjatë kësaj periudhe?
Jo, ligjin s’e kam thyer, por me mendje edhe e kam menduar që ta thyej, kur kam qenë keq. Por vetëm me mendje se e kam frikë ligjin.
Ka pasur ndonjëherë tentativë nga policia për t’ju shoqëruar në komisariat dhe për t’ju pyetur se ku e merrni drogën dhe si e merrni?
Jo, unë jam femër dhe nuk më ngacmojnë.
Po miqtë tuaj që janë burra, shokët?
Po, po. Miqtë po, i kanë marrë. Më kanë thënë që i kanë rrahur e çfarë s’u kanë bërë. Ndërsa mua s’më ka ndodhur ndonjëherë se edhe nuk bie në sy, edhe femër pastaj. Nuk i ngacmon femrat policia. 
Për ta mbyllur Elsa, si është një ditë e jotja nga fillimi deri në fund? Vazhdon të jetë e varur nga lënda narkotike apo ka fillur pak normaliteti pasi ke filluar të marrësh mjekimin?
Ka vazhduar pak normaliteti. Shumë rrallë më shkon mendja, nganjëherë. Që kur kam filluar terapinë me Metadon ka vazhduar pak normaliteti, por nganjëherë prapë më ngacmon ai fiksimi. Kur kam lekë shumë p.sh., nuk rri dot pa shkuar që ta marr. Jo si më përpara që e pija 3 herë në ditë, përditë, por nganjëherë më kap edhe fiksimi që ta pi. 
Elsa, shumë faleminderit dhe unë uroj që të kalojë kjo periudhë e vështirë dhe pse jo, të bashkohesh edhe me fëmijët.
Faleminderit!

Këta ishin Andi dhe Elsa, të cilët na rrëfyen jetën e tyre nën thundrën e drogës, ndërsa si këta të dy ka edhe shumë të tjerë. Patjetër që mesazhet e tyre të dhëna në këtë intervistë duhet të shërbejnë që të gjithë ata që janë përdorues droge të shkojnë drejt një vendimi për jetën e tyre, jo vetëm për ta lënë, por për t’i rikuperuar dhe t’i kthehen edhe njëherë tjetër jetës normale. Pa diskutim që me një intervistë televizive fenomeni nuk rregullohet dhe ka nevojë shumë të madhe që edhe organet e drejtësisë të parandalojnë të paktën shitjen e drogës. Por njëkohësisht, të gjitha institucionet sociale dhe pa dyshim edhe familja, të japin kontributin e tyre në mënyrë që ky realitet i 30 viteve të shkojë duke u dobësuar, pavarësisht se është pothuajse e pamundur për ta shkatërruar totalisht.

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rita: 09/10/2021 11:16

    përshëndetje të gjithëve ju premtoj se do ta ndaj këtë dëshmi për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë dhe që kanë nevojë të jenë përsëri të lumtur .... emri im është Rita Susan emir ... një zonjë 58 vjeçare ... Unë do të ndaj punën e mirë të një njeri i madh i quajtur Dr.ALASHIRA .. si më ndihmoi të shëroj djalin tim nga drogat e forta dhe kokaina..biri im është konsumuar nga droga të forta..ka pushuar së punuari madje as nuk kujdeset më shumë për familjen e tij ... Unë kam qenë në shumë vende spitalet madje edhe disa vende shërimi që kërkojnë ndihmë por e dinë rrugën ... jo derisa u prezantova nga një shoqe..te Dr.ALASHIRA se si e shpëtoi shtëpinë e saj ... Unë e kontaktova dhe i shpjegova gjithçka, dhe ai më tha mua ai do të më ndihmojë Unë mendova se ishte një shaka jo derisa e pashë Çdo gjë vetë .. gjithçka funksionon mirë pasi ai i premtoi djalit tim mos merr kokainë tani ai po largohet nga një jetë që unë gjithmonë kam dashur që ai të lërë një baba të mirë, gruan e tij dhe fëmijë të mirë dhe bir për mua ... ju lutem miq Dr ALASHIRA është një njeri i madh .. kontaktoni atë në çdo situatë që keni në jetë .. .. nëse keni probleme me marrëdhëniet familjare, ai do t'ju ndihmojë .... dërgoni email dralahalah @ gmail.com ose numrin e telefonit ose numrin e Whatsapp +2348115720823 ..

    Përgjigju
  • Iris: 08/05/2021 01:25

    Ketu ku jetoj une,perdorimi i drogave te forta eshte kthyer ne epidemi,prandaj dhe nje nga arsyet e legalizimit te mariuanes,ishte ideja qe do evitohej sidisi perdorimi i drogave te forta;s.d.q.para disa kohesh,pata rastin te bisedoja me nje person,ish-perdorues droge.Bisedova gjate me te dhe ne bisede e siper, me tha qe kishte 5 vjet i paster.E pyeta se si ia kishte arritur dhe ai me tha qe kishte familje,gruan me femije per t'u kujdesur,qe e bene t'a linte drogen.Nuk po jap biseden ,por nga c'ka tha, e kuptova dhe e besova jo vetem ne arsyen,por dhe ne vendimin qe kishte marre.Jam 100 % e sigurt qe ai nuk kishte per te perdorur me droge.Vetem dua te them, qe kur me te vertete do qe te dalesh nga drogat,eshte nje vendim qe duhet t'a marresh me veten dhe vullnetin tend,sepse nuk ka ilac,doktor,apo psikolog qe te t'a heqe vesin,po nuk morre vendim me veten.Ky zoteri e kishte marre kete vendim.

    Përgjigju
    • B*3: 08/05/2021 09:26

      Ndjej trishtim per personat e varur nga droga. Kam punuar ne nje qender OJF qe ndihmonte me metadone dhe terapi psikologjike keta persona. Doktori psikiater me shpjegonte se kokaina eshte si duhani, e le kur te duash nqs ke vullnet, sepse eshte me teper varesi psikologjike. Per heroinen, fatkeqesisht, eshte mision i veshtire. Mjafton vetem nje here e vetme dhe je i varur prej saj, sepse mungesa e heroines shkakton dhimbje te tmerrshme e te padurueshme. Metadona lehteson keto dhimbje, por duhet vullnet. Ish-perdoruesit me te cilet flisja, kishin rene preh gjate nje feste kur kishin qene te dehur, ose presioni shoqeror me te cilin rrinin, por ishin njerez me inteligjence te madhe. Sh paradoksale kjo. Droga eshte fatkeqesi e madhe per personin dhe familjaret. Nuk duhet gjykuar askush. Per mua, diten qe drogerat do te legalizohen dhe do te shiten vetem ne farmaci dhe prodhimi do te kontrollohet nga shtetet, atehere nuk do te kete drama te tilla. Te pakten te fillohet me kanabis...

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen