LEZHË- Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritte soanjolle është arrestuar në qytetin e Lezhës. Ardit Isufi po drejtonte një makinë kur është ndaluar nga forcat policore dhe është konstatuar se po e drejtonte mjetin me leje drejtimi të falsifikuar.
Uniformat blu konstatuan se 45-vjeçari ishte në kërkim nga Spanja dhe se ndaj tij ishte caktuar masa arrest në burg për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pronës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, si rezultat i sigurimit të informacionit në rrugë operative, mbi vendndodhjen e shtetasit të kërkuar për llogari të Spanjës, dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve, me Interpol Madridin, nëpërmjet Interpol Tiranës, finalizuan operacionin e koduar “Aksi”. Në kuadër të operacionit, u kap teksa lëvizte me automjet, te rrethrrotullimi i Shëngjinit, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi A. I., 45 vjeç.
Në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Spanjë i kanë caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 45-vjeçari drejtonte automjetin tip “Benz”, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Benz” dhe dokumenti i dyshuar i falsifikuar", njoftoi Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. Ndërkaq, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin.
Komente










