
Artur Hoxhosmani
Shqiptarja.com zbardh detaje të reja nga operacioni në Itali që çoi në goditjen e një grupi që trafikoi 27 mln euro kokainë nga Amerika e Jugut në Itali. Autoritetet italiane kanë lëshuar edhe 6 masa sigurie për shqiptarë, mes tyre edhe Artur Hoxhosmani. Ky i fundit është një emër jo pak i njohur për autoritetet e vendit tonë. Ai rezulton i arrestuar me urdhër të SPAK pas goditjes së grupit të Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cincos, Ermir Ndreaj.
Operacioni i SPAK që çoi në pranga Artur Hoxhosmanin u organizua në korrik të këtij viti, pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC. Ky grup dyshohet se ka trafikuar 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro. Ai u arrestua në Palasë, ku ishin bashkë me bosin e Cincos, Ndreaj dhe vëllain e tij Klevis Hoxhosmani duke shijuar rrezet e diellit në një skaf. Ndërkohë, për këtë operacion Dervishajt dhe Alibejt iu komunikua masa e arrestit në qeli, pasi janë në burg edhe për dosjen e Plumbit të Artë.
Tashmë për shqiptarin Artur Hoxhosmani ka lëshuar masë sigurie edhe Italia. Emri i tij është përmendur edhe në trafikun e drogës në Angli. Mediat britanike i kanë kushtuar disa herë artikull dy vëllezërve biznesmenë Hoxhosmani. Ata shkuan si emigrantë në Angli por u përfshinë në trafikun e drogës. Klevis Hoxhosmanin, vëllanë e Arturit, vendasit e quanin “Ali Baba” sepse bashkëpunëtorët e tij dukeshin të ishin 40 hajdutë.
Lajmi kryesor:
Trafikuan 3.5 ton kokainë me vlerë 27 mln € me Ndraghetën, Italia lëshon masë arrest me burg për 6 shqiptarë, mes tyre Artur Hoxhosmani! Lëviznin me Lamborghini (VIDEO)










