ITALI - 6 shqiptarë janë në mesin e 28 personave ndaj të cilëve është lëshuar masë sigurie në operacionin me urdhër të Prokurorisë Publike të Milanos, pas një operacioni kundër një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës nga Amerika e Jugut. Për 25 prej tyre është lëshuar masa e arrestit në burg, ndërsa për 3 të tjerë arrest shtëpie. Shqiptarët e përfshirë janë Marjus Aliu, Elvis Aliu, Fatjon Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani, nga Kavaja e Burreli, për të gjithë masa 'arrest në burg'.
Të përfshirët akuzohen se i përkasin një organizate të lidhur me Ndrangheta-n e Lokridës, klani Barbaro, dhe bashkë me shqiptarët organizuan dhe financuan trafikun ndërkombëtar të drogës. Akuzohen se kanë trafikuar 3.5 ton kokainë, nga të cilat më shumë se 400 kg u sekuestruan në Itali dhe jashtë vendit. Brenda afërsisht dy vitesh, organizata transportoi drogë me vlerë mbi 27 milionë euro.
Hetimi u krye kryesisht nëpërmjet analizës së bisedave në SkyEcc, dhe zbuloi një trekëndësh kompleks të bashkëpunimit midis kriminelëve nga Kalabria, Lombardia dhe Kampania. Mes personave që janë lëshuar masat e sigurisë, është edhe një kinez, i akuzuar për pastrim parash, i cili lehtësonte pagesat e drogës përmes sistemit informal të transferimit "fei ch'ien" ( i njohur edhe si "paratë fluturuese" për transferimin pa lëvizur fizikisht shuma të mëdha parash).
Elvis, Marjus dhe Fatjon Aliu janë nga Kavaja, ndërsa Artur Hoxhosmani nga Burreli. Mediat italiane flasin edhe për luksin e tyre të shfrenuar, të cilët lëviznin me Lamborghini në Milano e flinin në hotele luksi si Armani Hotel. Artur Hoxhosmani rezulton i arrestuar në Shqipëri me urdhër të SPAK si i përfshirë në grupin e Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cinco-s, Ermir Ndrejaj, të akuzuar për trafikun e 6 ton kokainë me vlerë 411 milionë euro. Ndërsa emri i Marjus Aliut del në ngjarje të ndodhur në korrik të vitit 2019, ku pas një përplasjeje mes dy grupeve kriminale, mbeti i vrarë një kalimtar në rrugë.
Rrjeti logjistik me bazë në Milano dhe rruga detare
Hetuesit identifikuan rrjetin kriminal me bazë në Lombardi, por që kishte degë edhe në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil. Grupi përdorte sisteme mesazhesh të koduara dhe menaxhonte lidhjet me trafikantët dhe ndërmjetësit shqiptarë të drogës. Droga dërgohej me det në portet e Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre, duke përdorur teknikën e “grabitjes” (ose “gacho eiego”), në të cilën ngarkesat e kokainës fshihen brenda kontejnerëve të destinuar për transport të ligjshëm tregtar.
Pika fillestare e hetimit ishte telefoni i Franco Barbaros, i konsideruar si pika e mbështetjes së organizatës së bashku me Bruno Trimboli. Mbiemrat e familjes së Barbaros kishin ndikim në zonën e Lokridës dhe aktivitetet e tyre tani janë zhvendosur në Lombardi, ku trafikimi i kokainës gjeneron miliona dollarë fitime për klanet.
Kërkimet po zhvillohen aktualisht në provincat e Milanos, Pavias, Bergamos, Parmës, Imperias, Komos, Romës, Tarantos dhe Reggio Calabria, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme dhe sekuestrimin e aseteve që i atribuohen organizatës. Operacioni u krye nga Komanda Provinciale e Milanos dhe Shërbimi Qendror për Hetimin e Krimit të Organizuar të Guardia di Finanza me urdhër të Prokurorisë së Milanos, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol.
Lajm në përditësim...
Marjus Aliu, ndaj të cilit autoritetet italiane kanë vendosur masën "arrest në burg" në kuadër të një operacioni të gjerë anti drogë, del në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019 në Kavajë. Më 4 korrik të atij viti, dy grupe kriminale u përplasën në një lokal në hyrje të qytetit. Plumbat kapën një kalimtar që gjeti vdekjen, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur.
Në përplasje u përfshinë vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, të cilët ndodheshin në lokalin e tyre (të Dedejve) për t'u sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Sherri i dhunshëm, që degjeneroi me përdorimin e armës, dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës.
Nga të shtënat e Marjus Aliut mbeti i vdekur kalimtari 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë. Të plagosur mbetën Vëllezërit e përfshirë në konflikt Rustem dhe Elton Dedej, vetë Marjus Aliu, i cili u qëllua nga vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka. Po ashtu, plumbat kapën edhe dy persona të tjerë të rastësishëm.
Sali Mekja, pronar i një lokali tjetër përball vendit ku ndodhi përplasja po qëndronte në lokalin e tij me një mik, Arben Ajdini, kur të dy i kapën plumbat.

Artur Hoxhosmani
Shqiptarja.com zbardh detaje të reja nga operacioni në Itali që çoi në goditjen e një grupi që trafikoi 27 mln euro kokainë nga Amerika e Jugut në Itali. Autoritetet italiane kanë lëshuar edhe 6 masa sigurie për shqiptarë, mes tyre edhe Artur Hoxhosmani. Ky i fundit është një emër jo pak i njohur për autoritetet e vendit tonë. Ai rezulton i arrestuar me urdhër të SPAK pas goditjes së grupit të Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cincos, Ermir Ndreaj.
Operacioni i SPAK që çoi në pranga Artur Hoxhosmanin u organizua në korrik të këtij viti, pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC. Ky grup dyshohet se ka trafikuar 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro. Ai u arrestua në Palasë, ku ishin bashkë me bosin e Cincos, Ndreaj dhe vëllain e tij Klevis Hoxhosmani duke shijuar rrezet e diellit në një skaf. Ndërkohë, për këtë operacion Dervishajt dhe Alibejt iu komunikua masa e arrestit në qeli, pasi janë në burg edhe për dosjen e Plumbit të Artë.
Tashmë për shqiptarin Artur Hoxhosmani ka lëshuar masë sigurie edhe Italia. Emri i tij është përmendur edhe në trafikun e drogës në Angli. Mediat britanike i kanë kushtuar disa herë artikull dy vëllezërve biznesmenë Hoxhosmani. Ata shkuan si emigrantë në Angli por u përfshinë në trafikun e drogës. Klevis Hoxhosmanin, vëllanë e Arturit, vendasit e quanin “Ali Baba” sepse bashkëpunëtorët e tij dukeshin të ishin 40 hajdutë.
Komente











Kjo vërteton se shqiptarët janë shërbëtorë të Ndraghetës!! Boll më i etiketuan shqiptarët si mbytësit e Evropës me drogë!! Ata janë vetëm mushka sepse të zotët janë italianë...
Përgjigjujooooo ska shance politika jone te meret me miell picash ahhahaa
Përgjigju