Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, denoncoi të premten rënien e numrit të nxënësve në qarkun e Fierit duke e lidhur me shpopullimin. Haxhiu u shpreh se mungesa e investimeve në arsimin rural dhe klasat e bashkuara po dëmtojnë cilësinë e mësimit, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk ka një plan për të ndalur shpopullimin.
Deklarata e deputetes të Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu.
" Nisja e këtij viti të ri shkollor është nje klithmë e dhimbshme e rënies demografike dhe shpopullimit masiv që po zbraz çdo cep të vendit tonë. Të dhënat zyrtare të drejtorive arsimore Fier tregojnë një katastrofë të vërtetë, një krim të qëllimshëm të kryer mbi shpinën e fëmijëve dhe familjeve fierake nga ky sekt qeverisës.
Shifrat e këtij viti janë dëshmia e gjallë e një Shqipërie që po zbrazet, Patosi ka humbur 200 nxënës në bankat e shkollave, Roskoveci ka zbritur me 167 nxënës më pak, në Mallakastër situata është dramatike, shkolla e bashkuar e Fratarit dhe ajo e Aranitasit janë kthyer në vatra mbijetese, duke mbledhur me sforcim fëmijët e mbetur nga fshatrat përreth sepse shkollat e tyre janë kyçur.
Ky është rezultati i "Rilindjes"!
Shkollat periferike po përballen me boshatisjen totale. Nxënësit nga Levani, Qarri, Boçova, Frakulla, Semani e Darrëzeza po detyrohen të largohen nga vendbanimet e tyre dhe po orientohen drejt qendrave urbane apo shkollave të Fierit, sepse qeveria i ka lënë fshatrat pa asnjë shpresë dhe pa asnjë investim.
Ky është një rreth vicioz i krijuar me ndërgjegje.
Mungesa e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe arsimi jocilësor në zonat rurale i kanë kthyer këto institucione në shkolla të dorës së dytë. Ky degradim nxit shpopullimin dhe shpopullimi sjell rrenimin e arsimit!
Sot, mungesa e nxënësve është kthyer në një problem ekzistencial.Klasat e bashkuara, ku fëmijë të klasave të ndryshme bëjnë mësim bashkë, janë jashtë çdo standardi arsimor!
Është absolutisht e pamundur të këtë arritje arsimore në të tilla kushte degradimi.
Ky është krim ndaj edukimit të fëmijëve tanë!
Por kjo qeveri nuk mendon si t’i ndihmojë shqiptarët, por vetëm si t’i grabisë ata!
Nuk ka asnjë plan për të ndalur shpopullimin. Plani i tyre i vetëm është të ndjekë dhe të dëbojë shqiptarët, që më pas t’ua shesë pasuritë kombëtare dhe tokat e të parëve tanë miqve dhe oligarkëve me të cilët ndan paratë e vjedhura.
Shpopullimi është plaga më e rëndë e Shqipërisë dhe nuk do të ndalet nëse nuk ndërmerren masa urgjente e konkrete.
Prandaj edhe Partia e Lirisë e ka një nga 5 prioritetet madhore të saj ndalimin e shpopullimit në programin 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus.
Masa për uljen e kostos së jetesës që po mbyt qytetarët.
Mbështetje reale financiare për familjet e reja dhe studentët tanë.
Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik për çdo familje.
Paketë shpëtimi për bizneset e vogla që po falimentojnë masivisht në Fier e mbarë vendin.
Nxitje e zhvillimit ekonomik dhe investime emergjente në arsimin rural.
Të nderuar qytetarë, Protesta e popullit është zëri i pastër i njerëzve që e duan këtë atdhe dhe refuzojnë ta lënë të zhduket!
Është zëri që kërkon të ndalë shpopullimin dhe të shpëtojë vendin nga një qeveri që ka kapur çdo pushtet.
Protesta nuk duhet të ndalet!
Ne jemi në mbështetje të plotë të qytetarëve që dalin përditë e më shumë në shesh për të shpëtuar kombin dhe për t'u kthyer fëmijëve tanë dinjitetin dhe të ardhmen që po u vidhet.
Ju faleminderit!"







Komente
Komento