Pak ditë më parë, deputetët e Partisë së Lirisë depozituan në Kuvend propozimin ligjor për të ulur TVSH-në nga 20% në 5% te ushqimet bazë. Sot, në një tjetër reagim, deputetja e PL-së, Erisa Xhixho thekson se vendi ynë ka TVSH-në më të lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. 

Ajo thotë se shqiptarët shpenzojnë rreth 40% të buxhetit për ushqim, ndërkohë që çmimet janë 50% më të larta se mesatarja europiane, sipas të dhënave të Eurostat. Thekson gjithashtu se në vitin 2013, Rama premtoi heqjen e TVSH-së për produktet e shportës, por ky premtim nuk është realizuar.

"A e dini që Shqipëria ka TVSH-në më të lartë për ushqimet bazë në gjithë rajonin? 20 për qind!  Ndërkohë, Kosova e ka 8%, Maqedonia e Veriut 5%,  Mal i Zi 7%,  Greqia 6% dhe në Itali vetëm4% Pra, një familje shqiptare paguan më shumë për bukën, vajin , vezet, qumështin, orizin, miellin, perimet dhe frutat – vetëm sepse jeton në Shqipëri. Sot, shqetësimi më i madh i qytetarëve është kostoja e jetesës. Çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur pas. Shqiptarët shpenzojnë 40% të buxhetit familjar vetëm për ushqim, dhe sipas Eurostat, çmimet në Shqipëri janë 50% më të larta se në Europë. Në vitin 2013, kryeministri Rama premtoi zero TVSH për produktet e shportës – bukën, qumështin, vajin, vezën, miellin, orizin. 12 nga qeverisja e tij , jo vetëm që ky premtim nuk u mbajt, por çmimet janë rritur dyfish, ndërsa familjet shqiptare janë lodhur duke mbajtur peshën e një shteti që nuk u lehtëson jetën.", thotë Xhixho. 

Deputetja thekson se propozimi i tyre nuk është thjesht masë ekonomike por sociale. 

"Prandaj, bashkë me kolegët e Partisë së Lirisë, kemi depozituar në Kuvend propozimin për uljen e TVSH-së së shportës nga 20% në 5%. Kjo nuk është thjesht një masë ekonomike – është mbi te gjitha një masë sociale. Sepse nuk po flasim për luks, po flasim për mbijetesë. Është koha të lehtësojmë jetën e qytetarëve me masa konkrete.", shton ajo.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit për ndryshime në ligjin për TVSH-në, PL shprehej se aplikimi i TVSH-së 20% për mallrat e shportës dëmton konsumatorin dhe krijon mungesë konkurrueshmërie për tregun vendas, si dhe rrit informalitetin. Kështu, argumenton PL, ndërhyrja është e domosdoshme.