Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Artan Distafa gjatë një konference nga Partia e Lirisë, ka deklaruar se Tirana po mbytet nga korrupsioni, betonizimi dhe paaftësia qeverisëse.

Distafa hodhi akuza ndaj qeverisë se e ka shëndërruar në pasqyrën më të errët të një pushteti të korruptuar, që ka humbur çdo ndjeshmëri ndaj qytetarit.

‘Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë bashkëpunuar në mënyrë të turpshme për ta kthyer qytetin në laboratorin e aferave korruptive. Nga inceneratori që nuk ekziston e deri te kullat që rriten si kërpudha mbi toka publike, çdo projekt është bërë simbol i grabitjes së taksave të qytetarëve dhe shpërdorimit të çdo norme të shtetit ligjor’, theksoi ai.

Po ashtu ai tha se çmimet e banesave janë të papërballueshme.

Deklarata e plotë:

Tirana po mbytet nga korrupsioni, betonizimi dhe paaftësia qeverisëse

Kryeqyteti i Shqipërisë është shndërruar në pasqyrën më të errët të një pushteti të korruptuar, që ka humbur çdo ndjeshmëri ndaj qytetarit. Tirana nuk është më qyteti i gjelbër, i jetueshëm dhe i hapësirave publike, por është kthyer në një kantier pa fund, ku çdo metër katror betonohet për interesa klienteliste dhe çdo vendim merret për të pasuruar pak duar, ndërsa shumica e qytetarëve mbyten në trafik, ndotje dhe padrejtësi.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë bashkëpunuar në mënyrë të turpshme për ta kthyer qytetin në laboratorin e aferave korruptive. Nga inceneratori që nuk ekziston e deri te kullat që rriten si kërpudha mbi toka publike, çdo projekt është bërë simbol i grabitjes së taksave të qytetarëve dhe shpërdorimit të çdo norme të shtetit ligjor.

Ndërkohë, mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies dhe kontrollit janë bërë “norma e re” e një administrate që vepron si korporatë private dhe jo si institucion publik.

Tirana sot përballet me ndotje alarmante dhe shkatërrim të hapësirave të gjelbra.

Ajri i qytetit është më i ndoturi në rajon, ndërsa pemët dhe parqet po zhduken nën presionin e betonit. Çdo lulishte po zëvendësohet nga një kullë, dhe çdo copë toke publike po i jepet klientëve të pushtetit. Qytetarët po marrin frymë mes pluhurit të ndërtimeve dhe gazrave, ndërsa institucionet që duhet të mbrojnë mjedisin heshtin. Tirana nuk po zhvillohet , por po shkatërrohet në emër të fitimit.

Trafik i paralizuar dhe mungesë planifikimi urban.

Kaotikja është bërë pjesë e përditshme e jetës në kryeqytet. Çdo rrugë është bllokuar nga ndërtime, leje pa kriter dhe mungesë infrastrukture alternative. Nuk ka asnjë strategji reale për transport public apo parkime. Çdo ditë, qindra mijëra qytetarë humbasin orë të tëra në trafik, produkt i një bashkie që planifikon vetëm fasada, jo funksionalitet.

Çmime të papërballueshme banesash dhe përjashtim i shtresës së mesme.

Tirana po kthehet në qytetin e pasanikëve të pushtetit. Çmimet e banesave janë rritur në nivele absurde, të ndërtuara për spekulim financiar, jo për banim. Të rinjtë dhe familjet e zakonshme janë përjashtuar nga tregu i strehimit, ndërsa qeveria dhe bashkia nuk kanë ofruar asnjë program real për banesa sociale apo mbështetje për qytetarët që duan të jetojnë në qytetin e tyre.

Shërbime publike të degraduara dhe mungesë kontrolli institucional.

Qyteti vuan nga menaxhim skandaloz i mbetjeve urbane, mungesë kontrolli mbi sigurinë ushqimore, pastërtinë, ndërtimet dhe ujësjellësin. Në çdo cep të Tiranës, sheh shenja të një bashkie që nuk administron, por propagandon. Taksa të larta, shërbime të dobëta dhe zero llogaridhënie, kjo është përditshmëria e qytetarëve të Tiranës sot.

Kjo situatë nuk është rastësi, por është pasojë direkte e një modeli qeverisjeje që e sheh qytetin si plaçkë, jo si shtëpi të përbashkët të qytetarëve. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë rrënuar çdo standard transparence dhe llogaridhënieje. Kanë shkatërruar frymën e komunitetit dhe kanë vënë interesat e oligarkëve mbi nevojat e qytetarëve.

Është koha që ky model të marrë fund.

Është koha që Tirana të çlirohet nga korrupsioni, arroganca dhe betonizimi.

Qytetarët e këtij vendi nuk mund të jenë më spektatorë të shkatërrimit të përditshëm të kryeqytetit të tyre.

Tirana meriton një drejtim të ri, të ndershëm, transparent dhe në shërbim të njerëzve, jo të pushtetit.

Faleminderit!