Dy persona kanë mbetur të plagosur me thikë ditën e sotme në Lezhë.
Sipas burimeve për Report TV mësohet se një i ri ka goditur me thikë dy persona pas një konflikti në një berberhane në Ishull-Leshë, duke u shkaktuar atyre dëmtime.
Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme procedurale.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thika), ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Plagosi lehtë në dorë me mjet prerës dy shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe shoqërohet në Komisariat autori i dyshuar.
Në ishull-Lezhë, në ambientet e një berberhane, shtetasi D. K., 40 vjeç, është konfliktuar me pronarin e objektit, shtetasin R. Sh., 24 vjeç.
Gjatë konfliktit janë përfshirë edhe shtetasi B. D., 35 vjeç (daja i pronarit), si dhe shtetasi A. Z., 52 vjeç, i cili ka qenë klient në momentin e ngjarjes.
Shtetasi D. K. ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit R. Sh. dhe A. Z., të cilët kanë marrë dëmtime në pjesën e dorës, ndërsa shtetasi B. D. nuk ka pësuar dëmtime.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariat për të bërë kallëzim lidhur me rastin.
Autori i dyshuar, shtetasi D. K., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thika).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Komente











