E hëna duhet të ishte një ditë e zakonshme në shkollë, por për pak sa nuk u kthye në tragjedi për një 11-vjeçar në Kukës.

Gjatë orarit të pushimit, ai u fut në një kantier ndërtimi dhe nga lartësia ranë inerte, duke e lënë të plagosur në kokë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:20 të ditës së hënë, por është mësuar vetëm sot përmes burimeve mediatike. Policia e Kukësit e mbajti të fshehtë dhe u detyrua të nxjerrë komunikatë vetëm pasi lajmi u publikua në media.

Burimet thanë se 11-vjeçari, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, ka hyrë në kantierin ku po rikonstruktohet shkolla e mesme profesionale.

Dy godinat gjenden shumë pranë dhe është vetëm një rrjetë e grisur që ndan kantierin nga shkolla 9-vjeçare. Nxënësi ka kaluar rrjetën pasi i kishte rënë topi në kantier dhe aksidentalisht, në atë moment, një punëtor ka hedhur materiale inerte nga kati i tretë, duke i shkaktuar plagë serioze.

Nxënësi i plagosur u transportua fillimisht në spitalin e Kukësit dhe më pas me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Mjekët thanë se ka dëmtime në kokë, por është koshient dhe po bëhen të gjitha ekzaminimet.

Për ngjarjen, Policia e Kukësit tha se po hetohen në gjendje të lirë punëtori 26-vjeçar që hodhi materialet inerte nga lartësia dhe drejtuesi teknik, Alfred Depa, për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Punimet për rikonstruksionin e shkollës profesionale po kryhen nga kompania “INA” sh.p.k., me një fond mbi 144 milionë lekë, investim i Ministrisë së Ekonomisë. Inspektorati i Punës ndërhyri duke bllokuar kantierin dhe vendosi shiritat e sigurisë, pasi dëmi ishte bërë. Ky aksident i rëndë rikthen në vëmendje nevojën e domosdoshme për sigurinë në kantiere, sidomos kur gjenden pranë institucioneve arsimore.

1771318187_plagosetnxenesikukes.jpg

Vendi ku 11-vjeçari ka kaluar dhe është futur brenda në kantier

“DVP Kukës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasit:

-K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.

-A. D., 62 vjeç, drejtuesi teknik i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e objektit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, njofton policia.