Alban, a mund të na tregoni se çfarë ndodhi mesnatën e së dielës?
Çdo gjë nisi papritur. Unë dhe vëllai im fatkeqësisht u përfshimë në atë ngjarje, edhe pse nuk kishim fare lidhje. Ne ishim atë ditë në plazh dhe jemi kthyer nga ora 20:00 e mbrëmjes. Më pas dolëm të pinim një kafe. Gjithçka ka nisur me djalin e dajos. Ne shkuam për të marrë atë, që të shmangnim sherrin.
Pra ju po thoni se konflikti ka nisur me djalin e dajos tuaj dhe jo me ju?
Po, kështu është. Kushëriri jonë ka punuar tre vjet në atë kazino, ka qenë truproje. Tani e kanë hequr.
Po pse e kanë hequr?
Kur ka qenë në punë ka pasur konfikt me kolegët e vet, të cilët ishin dhe ata trupëroje të kazinosë.
Po çfarë ndodhi më pas?
Siç po ju thoja, në darkë, ata e kanë marrë në telefon dhe u zunë në telefon me të, duke u ofenduar rëndë. I thanë ta takonin pranë Ambasadës Amerikane. Në atë kohë unë sa parkova makinën. Isha bashkë me vëllain tim dhe do futeshim te lokali i xhaxhait, ku ne rrimë gjithmonë. Duke u futur në lokal, djali i dajës po dilte nga lokali dhe e pashë që ishte i acaruar duke bërtitur në telefon. Ata i thonin të shkonte, se po e prisnin. Ai u nis të shkonte, që ti takonte. Shkuam dhe ne pas tij, unë dhe vëllai.
Po përse shkuat edhe ju pas tij?
Më shumë donim që të merrnim djalin e dajës. Shkuam me qëllimin që të mos i lejonim që të bënin sherr dhe ta largonim nga aty. Por çdo gjë mori për keq. Ata erdhën me dy makina dhe ishin pesë a gjashtë veta. Ishin të përgatitur për të bërë sherr. Kishin armë dhe mjete të tjera me vete: si hekura dhe shkopa bejsbolli. Filluan ta godisnin djalin e dajës.
Po ju si reaguat?
Unë të thashë edhe njëherë, çdo gjë ndodhi papritur dhe ne nuk kishim asgjë me vetë dhe as i kemi qëlluar. Unë po i shtyja me trup dhe po i thoja që të mos e godisnin, po ashtu edhe vëllai im. Mbaj mend që kam thënë vetëm “largohu” dhe e kam shtyrë me duar. Ata nxorrën pistoletën dhe hekurat që i kishin marrë me vete. Pastaj vazhdonin të na gjuanin me shkop bejsbolli në të gjithë trupin. Djali i dajës iku. Ne ngelëm aty. Në fillim i qëlluan vëllait me plumb në këmbë, pastaj mua. Kur i gjuajtën vëllait u bëra shumë keq. Pashë vëllain të shtrirë në tokë dhe doja ta ndihmoja, por njëri nga ata më nxorri pistoletën dhe më tha që të mos afrohesha te vëllai. U afrova dhe në atë moment më qëlluan edhe mua me plumb, po në këmbë.
Pra ju po thoni se nuk jeni konfliktuar me ta, pasi keni humbur nj sasi të madhe parash në kazino?
Jo, jo! Asgjë nuk ka ndodhur siç është thënë në media. Ne nuk kemi fare lidhje me kazinonë. Nuk është e vërtetë që kemi lënë para në kazino. Unë dhe vëllai nuk kemi luajtur ndonjëherë kazino në jetën tonë. Nuk kemi pasur asgjë me vete që të mbroheshim, as një lloj mjeti. Nuk ishim të përgatitur për atë punë. Nuk shkuam fare të bënim sherr, por të tërhiqnim djalin e dajës që të mos konfliktohej me ato. Po e përsëris edhe njëherë: ne kemi qenë gjithë ditën në plazh. Nga ora 20:00 erdhëm nga plazhi dhe thamë të pinim një kafe. Kjo ishte e papritur për ne.
Po pas sherrit çfarë ndodhi?
E gjetëm veten në spital. Vëllai ka pësuar goditje të forta në kokë, e ka kokën të çarë dhe këmbën ku e kanë qëlluar me plumb e ka rëndë. Po ashtu edhe unë, këmbën.
Po ju e dini se për çfarë arsyeje ishin në konflikt djali i dajos me truprojat e kazinosë?
Unë nuk e di fare se çfarë konflikti kanë pasur ata. Besoj se do kenë qenë çështje private. Nuk e dinim që do të ndodhte ashtu. U gjendëm aty për të shmangur sherrin, por ata vetë filluan të na godisnin dhe të na qëllonin.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print0 11.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)