Pas të shtënave me arme zjarri të ndodhur ditën e djeshme në mbikalimin e Rinasit ku i plagosur në këmbë mbeti, 26-vjeçari Fabjo Arifaj, policia ka arrestuar një person ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Gjithashtu i lënduar nga goditja me sende të forta mbeti dhe 22-vjeçari Grisjan Latifaj.

Personi i arrestuar është Josif Mena 36 vjeç, i cili pronari i automjetit të sekuestruar ditën e djeshme në afërsi të vendit të ngjarjes, ndërsa në kërkim është shpallur i vëllai Genc Mena, 32 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet është gjetur një gëzhojë ndërsa në banesën e njërit prej tyre, policia sekuestroi një armë zjarri, municion luftarak dhe radio policie si dhe sende të tjera të jashtëligjshme.

Konflikti mes 4 personave, të cilët nuk kishin njohje me njëri-tjetrin, mendohet të ketë nisur për motive banale.

“DVP Tiranë

Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar.     

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 32-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, 26-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Arrestohet vëllai i 32-vjeçarit, pasi iu gjet në banesë dhe u sekuestruan, 1 armë zjarri pistoletë, municion, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

26-vjeçari vijon të marrë mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.         

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin:

-G. M., 32 vjeç, banues në Domje.

Gjithashtu, u arrestua vëllai i 32-vjeçarit, shtetasi J. M, 36 vjeç, pasi në vijim të veprimeve hetimore, u krye kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri, municion luftarak, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të saj. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.