Një plagosje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në brenda një lokali në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë. I plagosuri i identifikuar si Kreshnik Cara, 49 vjeç ka marrë një goditje në pjesën e barkut, pas një përleshje me 50-vjeçarin Toni Nake.
Cara është transportuar me urgjencë në spital, ku edhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirugjikale. Burime bëjnë me dije se 49-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka arrestuar edhe autorin e dyshuar të plagosjes. Edhe pse iku nga vendi i ngjarjes, arratia e tij nuk zgjati shumë. Burime bëjnë me dije se edhe 50-vjeçari po dërgohet në spital, pasi edhe ai ka mbetur i lënduar.
"Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento