Shembja e një banese pa pajtimin e pronarit ka çuar në plagosjen rëndë të inspektorit të IMT-së, pasditen e të premtes në Tiranë. Bëhet fjalë për 55-vjeçarin Ilirjan Gavelli, i cili u plagos me një plumb në bark nga 52-vjeçari Qani Muça, menjëherë pasi IMT ekzekutoi vendimin për shembjen e banesës. Ilirjan Gavelli u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet në trajtim intensiv por jashtë rrezikut për jetën.

Autori, nga ana tjetër, u arrestua në vend nga policia dhe mësohet që në momentin që kreu plagosjen ka qenë i dehur. Për këtë, akuza që rëndon ndaj tij është “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”. Qani Muça kishte edhe precedentë të mëparshëm penal pasi në vitin 2017 është arrestuar për dhunë në familje. Arma e përdorur, e cila nuk dihet ende nëse autori e kishte me leje apo jo, është sekuestruar nga policia.

Burime bëjnë me dije se shtëpia u shemb pasi ishte planifikuar të ndërtohej pallat pikërisht në zonën ku ndodhi ngjarja, në kryqëzimin e rrugëve “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”. Por, Bashkia e Tiranës sqaron për Report Tv se do të ndërtohet rrethrrotullim për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve, duke prezantuar madje projektin infrastrukturor për zonën.

Një reagim e pati edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi nga drejtësia që të japë dënimin maksimal ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësve të shtetit. Ndër të tjera thekson se Bashkia nuk tërhiqet nga projektet publike për askënd.

“Ta harrojnë se e ndalin dot zhvillimin e qytetit si kriminelët ordinerë ashtu dhe ordinerët e politikës që frymëzojnë dhunën!”, shkroi Veliaj.

Ndërkohë pritet që autori të japë dëshminë në polici për ngjarjen. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:05
E shkuara kriminale e Qani Muçës, i dënuar në 2017 për dhunë në familje

1660320964_Screenshot2.jpg

Qani Muça, 52-vjeçari që plagosi me armë zjarri inspektorin e IMT-së pasi i shembën shtëpinë ka qenë i dënuar në vitin 2017 për dhunë në familje. Ai shkaktoi panik sot në në kryqëzimin e rrugëve “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo” pasi mori armën e zjarrit dhe qëlloi inspektorin me plumb në bark.

Ora 20:33
Veliaj reagon për plagosjen e inspektorit të IMT-së, kërkon dënim maksimal për autorin

1660330010_erionveliaj.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar pas plagosjes së inspektorit të IMT-së Ilirjan Gavelli, të premtën, duke kërkuar dënim maksimal për autorin.

Veliaj kërkoi prej institucioneve të drejtësisë dënimin maksimal ndaj autorit Qani Muça që plagosi Gavellin pasi ky i fundit mori vendimin për t'i shembur shtëpinë. Sipas Veliajt, Muça ka edhe precedentë të mëparshëm kriminalë.

“Shërim të shpejtë Ilirianit tonë të IMT pas plagosjes në krye të detyrës për infrastrukturën nga një person me precedent penal, tashmë në pranga! I kërkoj organeve të drejtësisë rreptësi maksimale për kriminelin që ngre dorë për shkak të detyrës ndaj punonjësve të shtetit! Prej 7 vitesh Bashkia e Tiranës nuk është tërhequr nga ASNJË projekt publik - as nga presidentët e lojtur, as nga rrugacët më famëkeq të vendit! Ta harrojnë se e ndalin dot zhvillimin e qytetit si kriminelët ordinerë ashtu dhe ordinerët e politikës që frymezojnë dhunën! Jam më i bindur se kurrë se shumica morale dhe e ndershme e qytetit - që as zapton e as dhunon -  e do progresin dhe refuzon t'i nënshtrohet dhunës së rrugës e asaj politike! Ndaj dhe jam më i vendosur se kurrë t'i coj gjer në fund punët për një Tiranë që nuk ndalet!”, shtoi Veliaj.

Veliaj theksoi askush nuk mund ta ndalë zhvillimin e Tiranës, duke iu referuar edhe figurave politike që sipas tij frymëzojnë dhunën.

Ditët e fundit, Veliaj dhe Ilir Meta kanë pasur përplasje në distancë, që nisën me një postim të ish-presidentit në Facebook të Tiranës në vitin 1981 dhe në vitin 2021, për të treguar abuzimin me ndërtimet dhe ndotjen në kryeqytet. Mirëpo nuk është provuar se ajo e vitit 2021 është foto e Tiranës, pasi nuk identifikohet me asnjë lagje. Për këtë, Veliaj e ka akuzuar Metën se ka nostalgji për “Tiranën e spiunëve”, dhe poston foto të Kabulit për të akuzuar Bashkinë. 

Ora 18:58
(PAMJE) Ishte i dehur kur plagosi inspektorin, momenti kur autori 52-vjeçar shoqërohet në polici

 

Qani Muça, i cili plagosi inspektorin e IMT-së Ilirjan Gavelli pasi ky mori vendimin për t’i shembur banesën, ka qenë në gjendje të dehur gjatë aktit të kryer.

Për këtë, akuza që rëndon ndaj tij është “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”.

Qani Muça ka shtënë një herë ndaj Gavellit, me një të shtënë tejshpuese. Ai është shoqëruar në polici, ndërsa mësohet se nuk është marrë ende në pyetje.

Ora 18:29
Plagosja e inspektorit të IMT pas shembjes së banesës/ Dalin PAMJET nga vendi i ngjarjes

Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes ku u plagos inspektori i IMT, Ilirjan Gavelli pasi u ekzekutua vendimi për shembjen e banesës në pronësi të Qani Muçës. Ky i fundit nuk ishte dakord dhe nxori armën duke plagosur në bark inspektorin. Në pamje duket se kanë mbetur vetëm inertet pasi IMT e ka çuar deri në fund vendimin, megjithëse nuk dihet ende arsyeja përse u shemb kjo banesë. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe policia që ka bërë të mundur arrestimin e 52-vjeçarit.

Ora 18:17
I shembën shtëpinë, kush është pronari që nxori armën dhe plagosi inspektorin e IMT-së (Emrat)

1660320948_Screenshot1.jpg

Ekzekutimi i vendimit për shembjen e një banese solli plagosjen e një inspektori të IMT në Tiranë. Pronari i identifikuar si Qani Muca nuk ishte dakord me vendimin dhe plagosi me armë zjarrin një prej inspektorëve, të identifikuar si Ilirjan Gavelli. Ai është në spital, ku po merr trajtim mjekësor dhe është në gjendje të qëndrueshme.

Policia ka arritur të neutralizojë dhe autorin e ngjarjes që është shoqëruar dhe do të merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes në fjalë.

Ora 01:00
Foto e planit të bashkisë, rrethrrotullimi që do të ndërtohet në zonën ku u plagos inspektori i IMT-së

Report Tv ka siguruar fotografinë e projektit infrastrukturor të Bashkisë Tiranë për zonën ku ndodhej banesa e Qani Muçës, i cili plagosi inspektorin që dha vendimin për shembjen e kësaj banese.

Bashkia Tiranë tregon se në atë zonë, siç paraqitet edhe në projekt, do të ndërtohet një rrethrrotullim.