‘Plan serb’, Rama ironi me kritikët për ‘Shtetin Bektashi’: Lexoni Naim Frashërin, nuk qe agjent i Soros, as i blerë nga Vuçiç

Me ironi iu është përgjigjur kryeministri Edi Rama kritikëve për idenë për krijimin e Shtetit Bektashi në vendin tonë. Rama tha se duhet të lexojnë dhe informohen më shumë mbi rolin që ka pasur komuniteti Bektashi për fatin e kombit tonë, ndërsa të gjithë kritikëve u sugjeroi që leximin ta nisin nga veprat e Naim Frashërit. Me ironi, Rama tha se edhe Naimi ishte agjent i Soros.

Pa e përmendur me emër, Rama ironizoi edhe deklaratat e Sali Berishës, i cili ka thënë se ky është një plan serb. 

“Natyrisht që është normale të ketë diskutime, është normale të ketë shqetësime etj, por ajo që është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, por në rastin konkret është më shumë për të qarë sesa për të qeshur sepse flasim për një gjë shumë të rëndësishme, është që nuk çfarë nuk fantazohet. Thonë që ky është një plan i Serbisë që të bëhet shteti këtu e pastaj të bëhet një shtet ortodoks në Kosovë. Çfarë idiotësie.

Ndërkohë që komunitetet fetare të tjera e kanë të gjithë sistemin e tyre, e kanë global, kanë qendrat e tyre. Si do bëhet kjo? Në çfarë forme do të ndodhë kjo? Kjo nuk është kështu që hajde se jemi ne disa njerëz e po bëjmë një shtet. Kjo është kështu siç po ju them unë, por që të kuptohet mirë biseda, unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri. Nuk besoj se ka qenë agjent i Soros-it, nuk e besoj, por edhe mund të ketë qenë. Unë nuk e besoj se ka punuar për Soros-in Naim Frashëri, nuk ma ha mendja që të ketë qenë i blerë nga Vuçiç. Edhe mund ta ketë blerë që atëherë, por unë nuk e besoj. Ta fillojnë nga Naim Frashëri e të shohin pastaj gjithë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri dhe pasi ta lexojnë do kuptojnë që këtu bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, këtu bëhet fjalë për një thesar që ne nuk mund ta lëmë që të tretet. Kaq e thjeshtë është kjo! “Jo po se po të bëhen këta kështu, atëherë do duam dhe ne”. Po çfarë doni ju? Po çfarë do duan këta të tjerët? Të gjithë i kanë qendrat e tyre, disa kanë një, disa kanë disa, ortodoksët kanë qendrat e tyre, janë të ndara sipas zonave të tyre. Fan Noli krijoi Kishën Autoqefale, por nuk tha “Hajde se po e bëjmë shtet më vete” pikërisht për faktin se Kisha Autoqefale Shqiptare ishte pjesë e gjithë rrjetit.

Pjesa e komunitetit mysliman ka gjithë ato referenca dhe për këtë arsye ka dhe gjithë ato mbështetje që i merr, kurse këta janë si jetimë dhe janë jetimët e Shqipërisë, nuk janë as të një shteti e as të një shteti tjetër.

Tani ne Shqipëria, duhet ta lëmë që këta jetimë, në sensin që nuk kanë asnjë lidhje me fuqitë e tjera. Tempulli i tyre, për të ndërtuar tempullin e tyre kam kërkuar unë nga qeveria që të japin një financim. Nuk kanë ata shtete të tjera që i mbështesin, por ama të mos harrojmë që është një Urdhër që ka njerëz në të gjithë botën dhe jo thjesht shqiptarë, ka lloj-lloj. Është një qasje e islamit që ka disa nuanca të vetat etj. Kundërshtia me çdo çmim! “Nuk ka rëndësi se çfarë thotë. E thotë Edi Rama? Nëse e thotë Edi Rama, po e tha ky kjo është tradhti”. Edhe si përfundim, Naim Frashëri është agjent i Soros”, tha Rama.

Kryeministri nga një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë tha se procesi për krijimin e Shtetit Bektashi do jetë konform Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare

“Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja. Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto. Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare”, përfundoi Rama.


Lajmi kryesor:

‘Shteti Bektashi’, Rama nga SHBA: Do e votojmë konform Kushtetutës! Janë si komunitet jetim, thesar që s’do e lëmë të tretet


SI.E./I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë