Plani i 24-vjeçarit që rrëmbeu, vrau dhe grabiti taksistin në Kavajë duket se ishte i planifikuar me detaje, pasi gjithçka ka ndodhur mjaft shpejt.
 
Musa Saraçi në datë 14, ditën e mërkurë kishte udhëtuar nga Gosa për në Kavajë i pajisur me thikë, ndërsa më pas prenotoi taksistin, të cilin duket se e njihte më parë.
 
Pasi mori taksinë e prenotuar pranë sheshit të spitalit të Kavajës, autori i ulur në sediljen e parë të makinës e detyroi shoferin për të lëvizur në drejtim të fshatit Greth të Njësisë Kryevidh, pasi është një zonë jo shumë e populluar.
 
Pasi hyri në fshat, i riu e kërcënoi për sendet personale dhe paratë, por hasi në rezistencën e tij.

Autori e goditi 8 herë në fyt dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa për të humbur gjurmët trupin e ka hedhur në disa shkurre.
 
Pas vrasjes së Idriz Karriqit, i riu i ka hequr targat makinës dhe është drejtuar për në varrezat e automjeteve duke e shitur për 27 mijë lekë.
 
Policia pas denoncimit të familjarëve nisi hetimet duke sekuestruar kamerat e sigurisë pranë sheshit para spitalit për të parë momentet e fundit që ishte larguar taksisti.
 
Identifikimi i autorit u bë me lehtësi, pasi 24-vjeçari ishte ulur në sediljen e parë dhe fytyra duket qartë.
 
Pasi u identifikua dhe u vendos në pranga, autori pranoi krimin duke treguar edhe vendin ku kishte hedhur trupin.

[gallery]20168[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com